Prej disa javësh rreth 60 familje në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës po ankohen se disa shtylla elektrike po ua rrezikojnë jetën banorëve. Sipas banorëve në këtë fshat kohë më parë janë vendosur shtylla të betonit, por ata ankohen se punimet nuk janë realizuar sipas standardeve.
Milaim Rrahmani, banor i lagjes “Elezaj” në fshatin Brod, ka thënë se më të rrezikuar janë fëmijët derisa shtyllat elektrike po lëvizin sa herë që ka erëra apo të reshura të borës. Ai ka deklaruar se disa herë është ankuar në KEDS për t’i rregulluar shtyllat, por deri më tash nuk kanë dalë në terren për t’i rregulluar shtyllat.
“Ne jemi të rrezikuar nga energjia elektrike sepse shtyllat e betonit janë lakuar dhe po rrezikojnë të rrëzohen për tokë, andaj 60 apo 70 familje për çdo ditë qarkullojmë në këtë rrugë kryesore dhe jemi shumë të rrezikuar. Nëse rrëzohet ndonjë shtyllë, atëherë dëmet janë shumë të mëdha, prandaj kërkojmë edhe një herë nga KEDS-i të dalin në terren për ta parë gjendjen dhe ta parandalojnë rrezikun”, ka kërkuar Rrahmani.
Po ashtu shqetësime ka ngritur edhe bashkëfshatari i tij, Hasim Muharremi, derisa shtyllat elektrike mund t’ia dëmtojnë pronën afër rrugës, andaj ka kërkuar nga KEDS-i të marrë masa rreth kësaj çështje.
Në anën tjetër KOHA ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga KEDS-i, por në këtë kompani kanë qenë të paqasshëm.