Arbëri

Rreth 200 punonjës me kontrata të veçanta në QKMF vazhdojnë të përballen me mungesë të pagave

Ferizaj, 11 shkurt – Rreth 200 infermierë të angazhuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, përmes një marrëveshje me organizatën “Caritas Kosova”, po vazhdojnë të përballen me mungesë të pagave.

Ata ende nuk i kanë marrë pagat e muajit dhjetor dhe as të muajit janar, ndërkohë në komunën e Ferizajt kanë thënë se vonesat janë shkaktuar si pasojë e problemeve me qasje të sistemit qeveritar dhe si pasojë e kontrolleve të shtuara nga Thesari, pas skandalit të vjedhjes së afro 2.1 milionë eurove nga Thesari në vitin e kaluar.

Në organizatën “Caritas Kosova” nuk kanë dashur të flasin me arsyetim se obligimet e veta i kanë kryer me kohë, ndërkaq komuna është përgjegjëse për alokimin e pagave të punëtorëve shëndetësor. Në anën tjetër punëtorët shëndetësor në QKMF të Ferizajt kanë thënë se prej vitesh asnjëherë nuk po i marrin pagat e tyre me kohë.

“Komuna dhe organizata “Caritas Kosova” po e shpërfillin marrëveshjen të cilën e kemi nënshkruar me 200 punëtorë shëndetësor për shërbime të veçanta në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Ende nuk janë alokuar pagat e muajit dhjetor, por as të muajit janar, andaj kjo dukuri po përsëritet shpeshherë prandaj ne kërkojmë që pagat t’i marrim me kohë sepse edhe ashtu jemi të rrezikuar nga pandemia”, është ankuar njëri nga punonjësit e QKMF-së me kusht që mos t’i përmendej emri në gazetë.

Ndërkaq, mjeku në këtë institucion, Xhevdet Haxhidema, i cili njëherësh është edhe menaxher i kontratës së punëtorëve shëndetësor përmes telefonit ka thënë se është duke u angazhuar që punëtorët sa më shpejtë t’i marrin pagat e tyre të merituara. Sipas tij, ka kontaktuar me komunën dhe me organizatën “Caritas Kosova”, ndërkohë ka marrë premtime se pagat do të alokohen në fund të kësaj jave.

“Ne i kemi përfunduar të gjitha procedurat për paga dhe i kemi dërguar në komunë, ndërkohë ata janë zotuar se shumë shpejtë do të alokohen. Po besojmë se të premten do t’i marrin pagat të gjithë punonjësit”, ka thënë Haxhidemaj. Sipas tij, kërkesat e stafit mjekësor janë të arsyeshme dhe normale, andaj sipas tij ka qenë mirë që institucionet ta bëjnë sa më shpejt një zgjidhje rreth kësaj çështje dhe punëtorët t’i marrin pagat me kohë.

Në anën tjetër Sebahate Ajeti –Sadiku, drejtoreshë për buxhet në komunën e Ferizajt ka thënë se edhe kësaj here janë vonuar pagat e punonjësve shëndetësor, mirëpo procedurat e alokimit po marrin kohë.

“Pagat për punonjësit e çerdhes publike janë flokuar në javën e kaluar por gjatë kësaj jave kemi pasur telashe me qasje në sistemin qeveritar. Niveli qendror ka sjellë edhe disa opsione të reja dhe kanë kërkuar ripërtëritje të të dhënave zyrtare etj. Po ashtu kemi pasur telashe edhe në qasje nga thesari, por megjithatë punonjësit shëndetësor në fund të javës do t’i marrin pagat sepse ne si komunë tashmë e kemi bërë zotimin e mjeteve”, ka thënë Ajeti.

Sipas saj për ekzekutimin e mjeteve niveli qendror ka vendosur edhe disa kritere të reja për verifikim më të thellë dhe konfirmim për çdo pagesë nga zyrtari përgjegjës i komunës.

“Njëra prej arsyeve të vonesave të pagave është edhe pas rastit të vitit të kaluar me 2.1 milion eurosh të keqpërdorura nga zyrtarët dhe individët në nivelin qendror, sepse tashti për secilën lëndë po kërkohen rikonfirmim se si do të shpenzohet buxheti dhe duhet të bëhet njoftimi drejtpërdrejtë nga drejtoria dhe zyrtari financiar”, ka thënë ajo.

Rreth kësaj çështje është debatuar mjaftë gjatë edhe në njërën nga mbledhjet e Kuvendit Komunal të Ferizajt derisa kuvendarët nga opozita patën kërkuar nga ekzekutivi të ndahen 200 mijë euro shtesë për t’i paguar punonjësit shëndetësor në QKMF ashtu siç janë ndarë 200 mijë euro për familjet skamnore në kohë të pandemisë. Gëzim Kokollari, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e LDK-së, pati thënë se stafi mjekësor në QKMF në Ferizaj ka nevojë për mbështetje reale për punën e bërë deri tashti sepse ata prej disa muajsh nuk i kanë marrë pagat e tyre sipas marrëveshjes.

“Për këtë çështje kam një propozim se përveç 200 mijë eurove që mund të përdorën për situatën e pandemisë dhe për mbështetje të familjeve skamnore, duke të ndahet edhe një shumë tjetër prej 200 mijë eurove për t’ia paguar pagat e mbetura punëtorëve shëndetësor që janë të punësuar me marrëveshje me “Caritas”-in. Këta punonjës kanë nevoja esenciale për gjëra ushqimore dhe pajisje të tjera për familjet e tyre”, pati thënë Kokollari.

© KOHA Ditore