Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë të enjten se kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka marrë nën kontroll fabrikën e ujit në Zubin-Potok, e që deri sot ishte nën menaxhim të strukturave paralele.
“Kjo fabrikë e ujit është aset kritik për furnizim të sigurt me ujë për mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës në komunat veriore. Andaj, marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë, e shëndetit publik dhe e shtrirjes së kontrollit institucional. Tash e tutje, KRU Mitrovica do të sigurohet që ky sistem jetik të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Rizvanolli ka thënë se e drejta bazike e qytetarëve tani do të realizohet në mënyrë të sigurt dhe të barabartë për të gjithë.
Në ditët e fundit janë mbyllur disa zyra që kanë funksionuar ilegalisht në veri.