Arbëri

Rikonfirmohet shkelja e Gërvallës në rastin e shkarkimit të diplomatit Jakupi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është konfirmuar për herë të dytë se ka shkelur ligjin për Shërbimin e Jashtëm, në rastin e tërheqjes brenda 24 orësh të diplomatit nga Londra, Viskont Jakupi.

Konstatimin e ka bërë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, në vendimin e 12 prillit, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA.

Vendimi është shfuqizuar mbështetur në ankesën e diplomatit, ndërsa ministres i janë numëruar shkeljet ligjore dhe procedurale në rastin e kthimit të sekretarit të parë në Londër.

Sipas vendimit, Ministria ka vepruar në kundërshtim me ligjin për shërbimin e jashtëm, ngase masat disiplinore dhe pretendimet për shkelje të rënda duhet t’i shqyrtojë Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës.

“Kolegji vlerëson se tërheqja e përfaqësuesve diplomatikë para mbarimit të afatit të caktuar mbetet në diskrecion dhe kompetencë të ministres së Punëve të Jashtme, në rastet e përcaktuara sipas nenit 23, paragrafi 1, të Ligjit nr.03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, respektivisht për nevoja të institucionit. Mirëpo në asnjë rrethanë nuk ka kompetencë të tërheqë përfaqësuesin diplomatik për shkak të supozimeve të shkeljeve ligjore, sipas nenit 23, paragrafi 1, nënparagrafët 1.4 të Ligjit nr.03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, pa u konfirmuar dhe vendosur paraprakisht nga një organ kolegjial, siç është Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës”, thuhet në vendim.

Avokati i diplomatit Jakupi ka thënë se ministrja ka shkelur dy herë ligjin, duke shtuar se ajo tani obligohet që ta kthejë klientin e tij në pozitën e njëjtë.

“U konfirmua për herë të dytë se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë shkelje ligjore me rastin e kthimit, në këtë rast të klientit tim, z. Viskont Jakupi, nga misioni diplomatik në Londër! Ashtu siç kanë qenë pretendimet tona ankimore në ankesën drejtuar KPMSHCK-së, Këshilli ka vërtetuar dhe ka vendosur me vendim se ministrja e Punëve të Jashtme, me rastin e nxjerrjes së vendimit për kthim të z. Jakupit nga misioni diplomatik, ka bërë shkelje ligjore, duke shkelur të gjitha ligjet dhe rregulloret e punëve të jashtme që rregullojnë misionin diplomatik. KPMSHCK-ja ka aprovuar në tërësi ankesën tonë dhe ka shfuqizuar vendimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, ka deklaruar avokati Mehdi Geci.

Sipas tij, Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, parasheh që ministrja në afat prej 15 ditësh, që prej ditës së pranimit të vendimit, të bëjë zbatimin e vendimit të KPMSHCK.

KOHA pati raportuar se si ministrja Gërvalla kishte tërhequr në mënyrë urgjente sekretarin e parë Jakupi, me justifikimin “e deklarimit të një të pavërtete të patolerueshme”.

Si e pavërtetë e patolerueshme ishte cilësuar një deklaratë e bërë gjatë komunikimit të brendshëm me zyrtarët e kësaj ministrie, teksa po diskutohej mbi çështjen e shpenzimit të qirasë.

KOHA ka mësuar se e pavërtetë është konsideruar pasaktësia në përllogaritjen e kilometrave prej banesës së diplomatit deri në zyrat e ambasadës.

Përderisa Jakupin ishte tërhequr nga misioni brenda 24 orësh, deri më tash ka munguar vendimmarrja rreth ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin janë ngritur dyshime se është përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga mediat në Slloveni.

Teksa partitë në pushtet i kanë dalë në mbrojtje Berishajt, ato në opozitë kanë kërkuar largimin e tij.