Në Kuvend janë paralajmëruar veprime të menjëhershme për ta zbatuar rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës. Ligjvënës të PDK-së treguan se do të iniciojnë ndryshimet në Kodin Penal në mënyrë që ata që mohojnë krimet e Serbisë, të dënohen. Edhe në Vetëvendosje ka deputetë që shprehën gatishmëri për të dhënë votën pro ndryshimeve të tilla
Në Partinë Demokratike paralajmëruan se shpejt do të iniciohet ndryshimi i Kodit Penal, me qëllim për ta bërë të dënueshëm minimizimin a mohimin e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Kërkesa për ndryshime të këtilla buron nga Rezoluta për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave të luftës, e miratuar të premten.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDeputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se, ngjashëm siç e votuan këtë dokument, subjektet politike do të duhej të angazhoheshin bashkërisht edhe për zbatimin.
“Do të ishte e udhës sikur partitë politike të uleshin qysh sot për të iniciuar ndryshime në Kodin Penal. Por nëse kjo nuk ndodh në mënyrë të harmonizuar, në mënyrë unike, pa dyshim që PDK të gjitha pikat që përmenden në këtë rezolutë do të mundohet përmes kanaleve zyrtare, përmes kuvendit dhe mekanizmave tjerë t’i jetësojë një nga një. Për Partinë Demokratike miratimi i kësaj rezolute ka qenë një urgjencë tepër e madhe dhe pikërisht me këtë urgjencë ne do të kërkojmë jetësimin pikë për pikë të kësaj rezolute”, ka deklaruar Behrami.
Me rezolutën e miratuar me 90 vota për, Kuvendi është zotuar të ndërmarrë veprimet e nevojshme legjislative për plotësimin e Kodit Penal, me qëllim që të parashihen dënime për personat që mohojnë ose minimizojnë krimet e kryera nga Serbia, e edhe për personat që kryejnë veprime që cenojnë dinjitetin e viktimave, miratojnë, glorifikojnë apo justifikojnë tiraninë dhe sundimin arbitrar të Serbisë, si dhe krimet e kryera prej saj në Kosovë apo përhapin propagandën e Serbisë.
Në Ministrinë e Drejtësisë, nga e premtja nuk treguan nëse do t’i iniciojnë ndryshimet në Kodin Penal, që kërkohen me rezolutë, e cila u iniciua pas debatit që nxiti ekspozita e shfaqur më 24 mars, me pasaktësi për masakrat.
Ndër të parët që reagoi, është deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës. Ai tha se, nëse ka konsensus, është i gatshëm të votojë për ndryshimet në Kodin Penal.
“Po, nëse ka edhe vullnet politik të partive të tjera për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal, pse jo. Sepse qëllimi është i mirë, që të mbrohet e vërteta. Qëllimi është që të mos lejohet deformimi i historisë sonë, deformimi i të dhënave historike”, është shprehur Dugolli.
Kodi Penal nuk parasheh vepër të veçantë penale që sanksionon mohimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.
Në rastin e Ivan Todosijeviqit, i cili si ministër mohoi Masakrën e Reçakut, ndjekja penale u bë për veprën e nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.
Dënimi që iu shqiptua, u rrëzua pastaj nga Gjykata Supreme, e cila vlerësoi se deklarata hyn në fushën e lirisë së shprehjes.