Arbëri

Reshjet e shiut përmbytën shtëpi e objekte shkollore në Prishtinë e Shtime

permbytje

Shiu i dendur që nisi që nga orët e para të mëngjesit të së hënës shkaktoi vërshime në pjesë të qytetit të Shtimes dhe në disa fshatra të komunës. Shkaku i kësaj situate, kryetari Qemajl Aliu shpalli gjendje emergjence. E teksa gjatë ditës situata është stabilizuar, me pasojat e përmbytjeve u përballën banorët, të cilët e kritikuan komunën se nuk ka qenë e përgatitur për situatën. E në Prishtinë, një prej lagjeve që pësoi më së shumti nga përmbytjet është Hajvalia. Për shkak të kolektorit të hapur e të papërfunduar, uji doli nga shtrati dhe vërshoi shtëpi dhe shkollën “Afrim Gashi

Tek e vrojton oborrin e shtëpisë së tij të mbuluar nga uji, banori i fshatit Vojnoc të Shtimes, Florim Mehmeti, e quan përmasën e vërshimit të shkaktuar nga të reshurat e dendura të shiut gjatë së martës si më të madhen që mban mend ta ketë parë ndonjëherë në jetë.

Ndonëse thotë që banorë të kësaj pjese përballen shpesh me vërshime shkaku i afërsisë me lumin Shtimjanjë, kësaj radhe ai theksoi se arriti të shpëtojë pa pësuar dëme të mëdha vetëm ngase bashkë me familjarë të tjerë punoi gjithë natën për ta shmangur depërtimin e ujit brenda shtëpisë.

“Dëme nuk na kanë bërë, sepse kemi ndenjur tërë natën zgjuar, i kemi mbrojtur pajisjet e amvisërisë. Edhe në garazh kemi pasur pajisje. I kemi larguar, pasi kemi qëndruar krejt natën zgjuar. (Uji) Ka hyrë edhe brenda, e kam një bodrum, por i kemi ndenjur gati dhe i kemi larguar pajisjet. Por uji është hala aty”, tha ai.

Ndryshe prej tij, dëme pësoi kushëriri i tij Bejtullah Mehmeti, në shtëpinë e të cilit uji depërtoi në brendi të garazhit. 

“Dëme janë shkaktuar goxha. Shumë gjëra të amvisërisë, si frigoriferë e lavatriçe janë të dëmtuara. Ne nuk kemi dalë për të kërkuar kompensime sepse jemi mësuar që nuk ka kompensime. Nuk është hera e parë që na merr uji neve, sepse e kemi lumin këtu. Ani pse lumi është duke u ndrequr, zgjidhje nuk na kanë bërë tash e 20 vjet”, është shprehur ai.

E lidhur me situatën e shkaktuar, ai e kritikoi Komunën e Shtimes për neglizhencë dhe për mungesë të përgatitjes për ballafaqim me fatkeqësi natyrore të parashikuara. 

“Ne e kemi kërkuar një bager për ta hapur një digë këtu. Njëherë thanë e sjellin. S’e sollën.. s’na i hapnin telefonat, megjithatë kanë qanë orët e vona. Ata e kanë ditur qe tre ditë, ne si qytetarë që e kemi ditë që tre ditë, po institucionet? Nuk janë të përgatitur aspak për këto gjëra. Këta ndonjëherë vijnë shpejt, por së paku me qenë të përgatitur e jo me vijnë në puma. Nuk dua ta ngarkoj apo ta akuzoj askënd, por kjo është neglizhencë”, tha ai.

Uji i lumit Shtimjanjë, që doli nga shtrati, ka përmbytur edhe oborrin e shkollës “Lasgush Poradeci”, duke bërë që nxënësit e ndërresës së paradites të mos e zhvillojnë fare mësimin. 

“DKA-ja ka dalë në terren dhe duke parë që në oborrin e shkollës ka ujë të shumtë, është marrë vendim, së bashku, që procesi mësimor për ndërrimin e paradites të mos mbahet kurse për ndërrimin e pasdites të shikohet gjendja si po shkon. Kemi arritur me punëtorët teknikë ta pastrojmë këtë gjendje dhe dalëngadalë niveli i ujit ka rënë dhe është gjendja më mirë”, tha Adil Qorroli, drejtor i shkollës “Lasgush Poradeci”.

Për situatën e krijuar nga të reshurat e së martës, komuna e Shtimes pati shpallur gjendje emergjence. E të mërkurën, situata është vlerësuar si nën kontroll.

“Gjatë ditës së sotme, sipas akterëve të Shtabit emergjent, situata paraqitet më e qetë dhe nën kontroll, por apelohet që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe t’i ndjekin njoftimet nga burimet zyrtare”, thanë në Komunën e Shtimës.

Krahas qytetit dhe fshatit Vojnoc, me vërshime në komunën e Shtimes janë përballur edhe fshatrat Gjurkoc e Godanc.

Vërshime pati edhe në Prishtinë, ku nën ujë mbetën shtëpi dhe objekte të institucioneve arsimore. Në mesin e lagjeve më të prekura të kryeqytetit është Hajvalia, ku kolektori i hapur doli nga shtrati duke e rrezikuar edhe shtëpinë e Fadil Mustafës, që gjendet pranë ujëmbledhësit.

Për të parandaluar dëmet, ai vendosi zhavorr te dera e shtëpisë ndërsa gjatë gjithë natës, së bashku me zjarrfikësit, thotë se u mundua ta pastrojë shtratin e kolektorit në mënyrë që ta përpinte ujin që rrezikonte t’i hynte brenda shtëpisë.

“Zallin e kam vendosur këtu të mos hyjë brenda sepse këtu është tmerr. Ujërat e zeza vijnë prej gjykatës e burgut këtu lart që është, pra ne jemi katastrofë prej ujërave të zeza. Sot dimrit i vjen era e le më verës që është katastrofë këtu”, tha Mustafa që është banor i Hajvalisë.

Sipas tij, me të njëjtin problem përballet sa herë ka vërshime.

“Kësaj radhe nuk pata dëme se i vendosa zhavorr se përndryshe çdo herë që ka vërshime më hyn uji brenda. Së paku 3 makina të larjes së rrobave më janë dëmtuar prej vërshimeve dhe kam bërë ankesa dhe askush nuk ndërmerr asgjë, s’na merr parasysh askush”, u shpreh ai.

Përmbytje u shkaktuan edhe në shkollën e kësaj lagjeje “Afrim Gashi”, e që me ndihmën e organeve kompetente uji u largua në orët e vona të së martës.

Kolektori i Hajvalisë ka dy vjet që ka filluar të ndërtohet, mirëpo ende nuk ka përfunduar. Drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, tha se arsye për këtë janë problemet pronësore dhe mungesa e buxhetit.

“Kontrata për ndërtimin e kolektorit është e nënshkruar. Megjithatë, në pamundësi të trajtimit të disa çështjeve pronësore dhe për arsye financiare, punimet nuk kemi mundur t’i vazhdojmë aktualisht. Shpresoj se deri në pranverë të zgjidhen çështjet e nevojshme që t’i rifillojmë punimet”, tha ai.

Reshje të mëdha të shiut janë paralajmëruar edhe për ditët në vazhdim.