Arbëri

Rektorët kritikohen për rekomandimet lidhur me projektligjin e AKA-së

Rekomandimet e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë për ndryshimet në projektligjin për Agjencinë e Akreditimit, u vlerësuan nga shoqëria civile si kërkesa me tendencë për mbrojtjen e interesave të tyre dhe jo për mbrojtjen e cilësisë së arsimit të lartë. Nga Komisioni parlamentar për arsim, kanë thënë se do të merren parasysh të gjitha komentet nga debatet publike

Rekomandimet e dhëna nga institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, në dëgjimet publike për shqyrtimin e projektligjit për Agjencinë e Kosovës të Akreditimit, nga shoqëria civile janë vlerësuar më shumë si komente për mbrojtjen e interesave të këtyre institucioneve, sesa për mbrojtjen e cilësisë së arsimit të lartë.

Një nga rekomandimet që shprehën institucionet e arsimit të lartë në dëgjimet publike, që i organizoi Komisioni parlamentar për arsim, ishte kohëzgjatja e riakreditimit të institucioneve dhe programeve të tyre. Gjithashtu, ata kërkuan që afati për dorëzimin e kërkesës për akreditim dhe riakreditim të shtyhet për në tetor. Po ashtu, vlerësuan se afati për dorëzimin e raportit të vetëvlerësimit në AKA është i shkurtër. Sipas projektligjit, parashihet që të dorëzohet për një javë (5 ditë pune) pas marrjes së njoftimit për pranimin e aplikacionit.

Liridona Ademaj, hulumtuese në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka thënë se kërkesat e rektorëve të institucioneve, kanë të bëjnë më shumë me zbutjen e masave që ka ndërmarrë AKA-ja dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë për rritjen e standardeve.

“Njëra ndër kërkesat kryesore ishte rritja e numrit të viteve të akreditimit në 6 deri në 10 vjet nga 3 deri në 5 sa është tani, si dhe dhënia e më shumë kompetencave Komisionit të Ankesave në Agjenci të Akreditimit, pavarësisht se ajo kërkesë është në kundërshtim me standardet evropiane dhe mënyrën se si funksionon edhe vetë ENQA (Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë)”, ka thënë ajo.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se ligjvënësit duhet të ruajnë pavarësinë e AKA-së, duke e rregulluar statusin e këtij institucioni përmes Projektligjit.

"Çfarëdo ndryshimi në këtë draft, draftuesit duhet të reflektojnë mbi nevojat e vërteta të procesit të akreditimit, e ato nevoja janë shumë të lidhura me një pavarësi shumë më rritur të institucionit të AKA-së, një pavarësi, mirëpo me sigurinë që ky institucion nuk kapet nga grupet e interesit dhe nga individë të lidhur me grupe të interesit, pra ajo çka ky ligj na duhet të na sigurojë është një transparencë, meritokraci dhe pavarësi të institucionit të AKA-së", ka thënë drejtori i Institutit “EdGuard”.

Në projektligjin për Agjencinë, gjithashtu u evidentuan edhe gabime përmbajtjesore. Në dëgjimin e parë publik, prorektori në Universitetin e Prishtinës, Elton Bahtiri, theksoi se ky projektligj ka nevojë për një lekturë finale.

“Te neni 25, kemi pikën katër ku shkruan ‘Akreditimin institucional nga AKA, akreditimi i programeve dhe licencimi nga Ministria është parakusht për ofrimin e programeve të studimit dhe ushtrimit të veprimtarisë akademike në arsimin e lartë’. Krijohet përshtypja që akreditimin institucional e bën AKA-ja, ndërsa akreditimin e programeve e bën ministria”, ka thënë Bahtiri.

Po ashtu, është kërkuar që të specifikohen dhe të shtohen kriteret për përzgjedhjen e ekspertëve ndërkombëtarë. Në projektligj përmendet se tre anëtarët ndërkombëtarë duhet të jenë ekspertë në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë me përvojë akademike, të cilët nuk janë dhe nuk kanë qenë shtetas të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, ka thënë se do të merren parasysh të gjitha komentet që dalin nga debatet publike. Ai shprehu pritjen që projektligji të miratohet në Kuvend në sezonin pranveror.

“Unë mendoj që këto kontribute, komente që kanë ardhur dhe po vazhdojnë të vijnë nga përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë janë jetike, janë shumë të rëndësishme që të kemi edhe një ligj i cili reflekton edhe pronësinë e komunitetit akademik në këtë ligj, por njëkohësisht edhe synon një cilësi, në stade afatgjate duke reflektuar edhe gjendjen ekzistuese", ka thënë Gola, duke e cilësuar si projektligjin më të rëndësishëm për arsimin e lartë.

Projektligji për Agjencinë e Akreditimit pritet të rregullojë statusin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe është propozuar të jetë si agjenci rregullatore në proceset dhe përgjegjësitë e akreditimit, riakreditimit, validimit, monitorimit me qëllim të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës. Ky Projektligj është miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës.

Miratimi i këtij projektligji është një ndër kriteret për riaplikim të AKA-së për rikthim në ENQA dhe regjistrim në Regjistrin Evropian për Rritje të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).