Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Refuzohet ankesa e Listës Serbe për certifikim të kandidatëve për deputetë të partisë së Rashiqit

Nenad Rashiq

Nenad Rashiq

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Listës Serbe, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Listës Serbe, të paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), lidhur me certifikimin e 10 kandidatëve të subjektit politik Za Slobodu Pravdu i Opstanak, që udhëhiqet nga ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.  

Lista Serbe ka ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkelje të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.

Lista Serbe ka propozuar anulimin e vendimit të PZAP-së dhe të vendimit të KQZ-së, si dhe detyrimin e KQZ-së për nxjerrjen e një vendimi të ri.

Por, pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe shkresave të lëndës, Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur se ankesa është e pabazuar.

“Gjykata Supreme vlerësoi se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb. Gjykata Supreme thekson se publikimet në portale elektronike apo artikujt medialë nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për të vërtetuar përkatësinë etnike të kandidatëve”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Edhe Lista Serbe ankohet në PZAP për votat e Rashiqit: Erdhën nga shqiptarët Zgjedhjet 2026 3 j. më parë Lista Serbe ankohet në PZAP për votat e Rashiqit: Erdhën nga shqiptarët

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se barra e të provuarit bie mbi ankuesin dhe se pretendimet për shkelje kushtetuese apo ligjore nuk mund të mbështeten vetëm në supozime apo interpretime subjektive.

“Gjykata Supreme gjithashtu vlerëson se vendimi i PZAP-së është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke respektuar parimet e barazisë, të drejtave zgjedhore dhe mbrojtjes së komuniteteve”, thuhet në njoftim.