Anëtarë të Lidhjes Demokratike nuk kanë shprehur qëndrime të unifikuara për sa i përket rezultatit që kjo parti e ka shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Kandidatja për deputete e kësaj partie, Shqipe Pantina, është kritikuar nga kolegu i saj partiak, Sokol Havolli, për qëndrimin që i ka shprehur publikisht lidhur me rezultatit, pa u shtjerrë fillimisht diskutimi në strukturat e brendshme. E njohësi i zhvillimeve politike, Dorajet Imeri, ka vlerësuar se LDK-ja duhet t’i analizojë veprimet e ardhshme, pas rënies së saj në rreth 13 për qind të përkrahjes në zgjedhje
Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka nxjerrë në pah shpërputhje në qëndrime përbrenda përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike (LDK), parti kjo që pas numërimit të mbi 99 për qind të votave brenda dhe jashtë Kosovës ka siguruar 13.27 për qind të përkrahjes dhe 15 mandate në Kuvend.
Anëtari i LDK-së, Sokol Havolli, i cili në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka garuar për deputet por që nuk është në mesin e të zgjedhurve, i ka reaguar koleges së tij të re partiake, Shqipe Pantina, që gjithashtu nuk ka siguruar vend në legjislaturën e 10-të.
Përplasja nga distanca ka ndodhur pasi që Pantina, gjatë një paraqitjeje televizive, ka kritikuar partinë për qëndrimet që i ka mbajtur dhe për reformat që i ka ndërmarrë.
“Këtu ka qenë huqja edhe e LDK-së, sepse u fokusuan shumë për t’i bërë opozitë Kurtit, duke i harruar vlerat të cilat ata i përfaqësojnë....Reforma është filluar edhe është lënë në gjysmë. Edhe nuk është filluar mirë se ti nuk mund të bësh reformë duke larguar strukturat e vjetra për të lëshuar vend për të rinjtë”, ka deklaruar ajo.
Havolli i ka adresuar Pantinës kritika për këtë qëndrim.
“Çka të duhen kundërshtarë politik kur disa janë brenda? Shqipe Pantina pas çdo dështimi politik personal dhe përfaqësimit të munguar, sonte ia dha edhe një goditje LDK-së. A je mirë? Apo kaq të ka mjaftuar? Pfff”, ka shkruar ai në “Facebook”.
E në një bisedë telefonike me KOHËN të mërkurën, Havolli e ka vlerësuar si jo të duhur shprehjen publikisht të qëndrimeve nga anëtarë të LDK-së pa u kryer diskutimet e brendshme. Ai ka shtuar se në këto qëndrime ka edhe mungesë të informacioneve.
“Problemi është që nuk janë kryer diskutimet e brendshme dhe tash në çdo veprim që e bën secili anëtar, natyrisht, është e drejtë e secilit që të jap mendim të vetin, mirëpo ai gjithsesi kishte me qenë vendim totalisht i painformuar, sepse ne duhet t’i marrim ose t’i japim qëndrimet sa më të informuara. Ne ende nuk e kemi të qartë, për shembull, ose nuk e kemi një qëndrim të një kryetari të degës, për shembull, që ka mundur të bjerë nga 15 mijë vota në 6 mijë vota. Kështu që, ne fillimisht duhet ta dëgjojmë atë kryetar të asaj dege ose degën tjetër që ka mundur të bjerë prej 15-16 mijë votave në 9 mijë vota, dhe duhet të jepen qëndrimet e kryetarëve të degëve se secili kemi diçka për të thënë”, ka thënë ai.
Havolli ka këshilluar Pantinën dhe anëtarët e tjerrë të rinj të LDK-së se si duhet të veprojnë në raste të tilla. “Ndoshta kjo kishte me qenë këshillë për të rinjtë që janë pjesë e LDK-së dhe është mirë shumë që janë pjesë e LDK-së që të mbledhin sa më tepër informacion fillimisht, e jo pas zgjedhjeve në emisionin e parë që i ofrohet mundësia të dalë dhe të japë diagnoza se kush është fajtori e kush nuk është fajtori”, ka deklaruar Havolli për KOHËN.
Ai ka shtuar se kurdo që të mblidhet Kuvendi i përgjithshëm i partisë, ai do të jetë mundësi e shterjes së diskutimeve për rezultatin zgjedhor dhe për qëndrimin që do t’i mbajë tutje LDK-ja.
“Çka është më e rëndësishme të marrë dhe të merren (nga diskutimet në Kuvend) orientimet, qëndrimet se si vazhdohet tutje në aspektin e sfidave të radhës politike që vijnë në Kosovë”, ka theksuar Havolli.
Lidhur me kritikat që janë shprehur kundër saj, Pantina nuk ka pranuar që të deklarohet.
E njohësi i zhvillimeve politike, Dorajet Imeri, ka vlerësuar se Lidhja Demokratike duhet që të bëjë analizë mbi veprimet që e kanë prodhuar rezultatin e saj zgjedhor si dhe për hapat që duhet të ndërmerren si reflektim karshi tij.
“Konsideroj se largimi i të parit të partisë nuk mundet të jetë ndoshta opsioni kryesor, sepse, sido që të jetë, nuk është vetëm çështje e lidershipit por është çështje edhe e strukturave të brendshme. Është çështje e narratives së fitores, është çështje e planprogramit të qeverisjes dhe sidomos raporti me partinë fituese të zgjedhjeve”, ka thënë Imer.
Ai ka vlerësuar se LDK-ja duhet të tregohet transparente edhe për sa u përket qëndrimeve që do t’i mbajë në të ardhmen.
“Ky subjekt politik menjëherë duhet të tregojë se cili do të jetë pozicioni politik në raport me zgjedhjen e presidentes së vendit dhe në këtë mënyrë duhet të dëshmojë para elektoratit të vet se veprimet që i ka ndërmarrë janë në dobi të zhvillimeve të gjithmbarshme të Kosovës. Në të kundërtën, unë konsideroj që, mbajtja e qëndrimeve kështu, pa qëndrime publike të deklaruara, do të jenë në dëm të këtij subjekti politik”, është shprehur ai.
Disa orë pas mbylljes së vendvotimeve më 28 dhjetor dhe publikimit të rezultateve preliminare, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se do të thërrasë mbledhjen e Kuvendit të partisë për të reflektuar mbi rezultatin. Edhe dhjetë ditë pas zgjedhjeve, në LDK nuk ka pasur lëvizje në funksion të caktimit të datës për mbajtjen e kuvendit të partisë.