Arbëri

“Nuk jam djalë për me u koritë, jam Albini pushkë me qitë”, reagime ndaj performancës së Edona Llalloshit

Edona

Të shtunën në Zvicër, në kuadër të fushatës e cila nuk ka filluar zyrtarisht, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, u prit nga shumë bashkëatdhetarë në Zurich. Krahas fjalimeve të organizatorëve, e një programi, kandidatja për deputete nga kjo parti dhe njëherit këngëtarja Edona Llalloshi, e këndoi një këngë kushtuar Albin Kurtit.

Kënga e saj, nxiti shumë reagime veçanërisht pjesa e tekstit: “Nuk jam djalë për me u koritë, jam Albini pushkë me qitë”.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e quajti nivel tjetër marrëzisë që një deputete i kushton këngë liderit e lideri e duartrokitë. Sipas Çitakut, është i rrezikshëm mentaliteti që po promovohet.

“Çfarë pamë nga tubimi i LVV-së në Zvicër ishte një nivel tjetër i marrëzisë. E di që është e vështirë të kontrollosh çdo veprim të mbështetësve. Ata mund të të shkruajnë këngë, të bëjnë tatuazhe, madje edhe të ngrenë shtatore. Edhe kjo është e dëmshme për shëndetin demokratik, por deri diku e kuptueshme, sepse nuk kontrollohet lehtë. Por kur një deputete i kushton këngë liderit në një ngjarje të organizuar nga vet partia, dhe lideri rri aty duke rrahur shuplakë, kjo nuk është më thjesht shije e keqe apo folklor politik. Kjo është përtej marrëzisë. Kjo është e rrezikshme. Jo për shkak të kualitetit të këngës, ai s’ka asnjë rëndësi, por për shkak të mentalitetit që promovon”, ka shkruar në rrjetin e saj social Facebook, Çitaku.

Edhe Sibel Halimi nga LDK-ja, në reagimin e saj tha se romantizmi i dhunës nuk është art dhe pyeti që pjesa “Jam Albini, pushkë me qitë”, kujt po i drejtohet.

“Romantizimi i dhunës nuk është art. Arti nuk është pushkë, as thirrje për të qëlluar. Arti është ndërgjegje, është pyetje, është dritë që e ndal dorën para dhunës. ‘Jam Albini, pushkë me qitë’, kujt do t’i drejtohen plumbat, artiste e dashur?! ‘Pushka’ e artistit nuk duhet t’i drejtohet askujt si armë, por padrejtësisë si ide, frikës si sistem, dhe heshtjes si bashkëfajësi. Vendit i duhet paqja dhe mirëqenia, jo romantizimi i dhunës. Artisti ka përgjegjësi të mos bëhet jehonë e instinkteve të errëta, por zë i arsyes, i humanizmit dhe i shpresës”, thuhet në reagimin e Halimit.

Gazetari Imer Mushkolaj e quajti shfaqje të përshtirë e bastardim të këngës kushtuar Çun Mulës, atë të Edona Llalloshit për Albin Kurti.

“Nuk din njeri me keshë a me kajtë me këtë kangën për Albin Kurtin. Një shfaqje e pështirë, bastardim total i një kange të bukur kushtuar Çun Mulës, prijësit të Hotit dhe Malësisë së Madhe, luftëtarit e komandantit të ushtrisë kundër osmanëve dhe serbo-malazezëve, delegatit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Bastardim i një historie lavdie e rezistence. Për marre”, ka shkruar në reagimin e tij Mushkolaj.

Kënga e këngëtares Edona Llalloshi nxiti reagimin e masës në përgjithësi, ndërsa vetë Llalloshi akoma nuk e ka komentuar këtë situatë.

Edona Llalloshi fitoi ulëse në Parlamentin e Kosovës nga radhët e LVV-së, në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ndërsa po garon për një mandat të dytë edhe në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 28 dhjetorit.

Llalloshi bashkë me kandidatë të tjerë për deputet dhe atë për kryeministër, Albin Kurti, u pritën në një tubim në Zurich të Zvicrës nga bashkatdhetarët.