Arbëri

Rama i reagon Muratit: Të flasësh ti për rrezikim të buxhetit, është qesharake

murati rama

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar ministrit në detyrë, Hekuran Murati, i cili në mëngjesin e së dielës bëri thirrje për votim të formimit të Qeverisë, duke deklaruar se po rrezikohet buxheti.

Rama në Facebook ka shkruar se këto deklarata të Muratit janë qesharake.

Ai ka thënë se ministri në detyrë për 11 muaj e ka bllokuar buxhetin e kryeqytetit.

“Hipokrizia juaj ka kaluar çdo kufi! Hekuran, të flasësh ti për ‘rrezikim të buxhetit’ dhe ‘interes të shtetit’ është qesharake. Ti që prej 11 muajsh e ke blloku buxhetin e Kryeqytetit, i ke ndal projektet kapitale, i ke blloku investimet e huaja dhe madje i ke blloku edhe të hyrat vetanake të qytetarëve, vetëm pse Prishtina nuk ju bindet politikisht. Kjo nuk është politikë, ky është shantazh institucional. Shto këtu faktin që Prishtina kontribuon mbi 49.8% të të hyrave tatimore të buxhetit të Kosovës. Pra, ju po e bllokoni pikërisht komunën që mban financiarisht shtetin, për të cilin sot dilni e shisni moral të rremë”, ka shkruar ai në Facebook.

Rama ka thënë se këtë e vërtetoi edhe raporti i International Crisis Group, i cili, sipas tij, thotë qartë se Qeveria ka bllokuar komunat që nuk qeverisen nga VV.

“Mos u lodhni duke ia hedhur fajin të tjerëve, Kosovën e keni blloku dhe e keni futur në krizë prej 9 shkurtit. Paaftësia juaj është problem, por dashakeqësia juaj është rrezik kombëtar. Patetikë jeni kur hiqeni si shpëtimtarë, ndërkohë që vetë e keni futur Kosovën në krizë”, ka shkruar ai.