Një përplasje online ka ndodhur të enjten mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me mos-ekzekutimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025.
Rama akuzoi Muratin për bllokim politik të mjeteve financiare të kryeqytetit, ndërsa ky i fundit reagoi duke mohuar çdo përgjegjësi dhe duke ia kthyer topin Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Prishtinës shkroi në Facebook se çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve politike të Muratit dhe i askujt tjetër. Ai theksoi se bëhet fjalë për 33 milionë euro të bllokuara, prej të cilave 23 milionë janë të hyra vetanake të komunës dhe 10 milionë grant qeveritar.
“Çdo status që shkruan në Facebook nuk është tjetër veçse përpjekje për të manipuluar narrativën publike dhe për të zhvendosur fajin... Kryeqyteti nuk do të mbahet peng i kalkulimeve politike të askujt”, shkroi Rama.
Ndërsa, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, reagoi po ashtu përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur të pavërtetë akuzën se buxheti është bllokuar nga ministria që ai udhëheq.
“Përparim, thuaj Lumirit bashkë me deputetët tjerë le ta votojnë buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2025 në Kuvend. Kaq e thjeshtë është”, shkroi Murati, duke theksuar se Prishtina, njësoj si Gjilani dhe Zubin-Potoku, nuk e ka miratuar buxhetin brenda afateve ligjore.
Ai shtoi se, përkundër sqarimeve të dhëna disa herë, “Përparim Rama bashkë me Shkëmb Manajn po vazhdojnë me shpifje dhe paralajmëroi padi për shpifje ndaj kryetarit të Prishtinës dhe kujtdo tjetër që “dezinformon publikisht”.
Përplasja mes Ramës dhe Muratit po ndodh në një moment kritik për funksionimin financiar të kryeqytetit, ku shumë projekte komunale raportohen si të pezulluara për shkak të mungesës së buxhetit të ekzekutuar.