Arbëri

Qytetarët kërkojnë fuqizim tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë

Festa  - 28 nentori - Prishtine

Flamuj të shumtë kombëtarë janë vendosur në sheshet e kryeqytetit të Kosovës në vigjilje të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Derisa në Tiranë është mbajtur mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, në sheshin kryesor të kryeqytetit është hapur panairi “Blej Shqip”, ku janë ekspozuar produkte me motive kombëtare.

Në shoqëri të xhudistit veteran, Anton Cena, edhe një grup i të huajve vizituan të dielën panairin. Ata blenë produkte vendore dhe relikte kombëtare.

Cena e ka një kërkesë për të dyja vendet.

“Politika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të ishte më mirë të ndërlidhen më shumë me njëra-tjetrën për arsye se unë nuk po e shoh atë lidhshmërinë me njëra-tjetrën, pasi që në shumicën e rasteve Shqipëria bën tregti me vendet e tjera se sa me Kosovë, do të ishte mirë që të ishte e kundërta dhe të ishim një shtet me njëra-tjetrën”, tha Cena.

Në prag të shënimit të 28 Nëntorit, Kosova pati vizitorë edhe nga një shtet që nuk e njeh.

Trajneri sllovak i xhudos, Jan Arendac, së bashku me grupin e tij, mori pjesë në turneun “Adem Jashari” që organizohet për nder të ditëlindjes së komandantit legjendar dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

“Sot është viti i pestë që vijmë në Kosovë dhe jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi ardhur këtu, sepse njerëzit kanë paragjykime për Kosovën se këtu nuk ka siguri, por mendoj që këtu është siguria e njëjtë si në të gjitha vendet e tjera. Po e shohim një ndryshim të madh në Kosovë, rrugët janë shumë të mira dhe Kosova është Evropë”, tha Arendac.

Të kënaqur me vizitorët janë shprehur edhe tregtarët pjesëmarrës në Panair.

“Meqë janë produkte vendore shqiptare, kombëtare, njerëzit nuk po e harrojnë traditën. Edhe njerëz nga vendet e tjera blejnë dhe gjithherë janë të kërkuara. Duhet t’i falënderojmë ata që nuk e harrojnë traditën dhe vijnë i marrin ato”, tha Sylvie Sahiti, pjesëmarrëse në panair.

Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së Adem Jasharit, të hënën në kompleksin memorial “Adem Jashari” do të hapet edhe ekspozita “Të ndarë, por të pashkëputur”.

Në shënim të kësaj dite parashihen edhe homazhe pranë heronjve shqiptarë, ndërsa në orën 19:00 do të organizohet një pritje nga kryeministri Albin Kurti.