Arbëri

Qytetarët ankohen për mosgrumbullimin e mbeturinave, njohës të ambientit paralajmërojnë rreziqe

Qytetarët në Prishtinë shprehen të shqetësuar për gjendjen e krijuar me mbeturina, teksa njohës të ambientit paralajmërojnë për rrezikun që mund të sjellë në shëndetin publik ekspozimi i tyre. Në kompaninë “Pastrimi” njoftuan se kanë ngritur kallëzim penal ndaj Komunës dhe paralajmëruan se situata me mbeturina mund të përkeqësohet edhe në qytete të tjera. E kryetari Rama ka premtuar zgjidhje të situatës.

Misrete Hasani, qytetare e Prishtinës, thotë se e ka të pamundur të vazhdojë punën si zakonisht në lokalin e saj, për shkak të mbeturinave të shumta që janë grumbulluar së fundmi.

Sipas saj, situata e krijuar pas njoftimit të kompanisë “Pastrimi” për ndërprerjen e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave, ka sjellë telashe të shumta te qytetarët.

Ajo tregon që vazhdimisht i ka kryer pagesat ndaj këtij shërbimi, por që i njëjti nuk po kryhet.

“Vet bërllogu po të pengon, ka edhe bërllog me shumicë, sepse nuk ka bërllog me pakicë, por bërllog me shumicë. Ka edhe erë të pakëndshme e këtu besa edhe qentë mblidhen pas tij. Nuk po vijnë ta marrin. Dje thanë se kanë marrë diçka, por shumë bërllog, shumë, shumë. Edhe kontejnerët nuk janë të mjaftueshëm që bërllogun me e hudhë, e mandej krejt në tokë po bie”, ka deklaruar ajo.

Mbeturina në masë të madhe e jashtë kontejnerëve janë parë edhe gjatë së dielës në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

Të mërkurën në ndërmarrjen “Pastrimi” ndërprenë grumbullimin e mbeturinave pasi thanë se Komuna nuk ua pagoi borxhin prej 2.7 milionë eurosh që e ka ndaj tyre.

Njohës të ambientit vlerësojnë se grumbullimi e moslargimi i mbeturinave rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe shkaktojnë dëme në ambient.

“Shëndeti publik po ashtu është një shqetësim i madh. Mbetjet e kalbura tërheqin dëmtuesit, si minjtë dhe mushkonjat, edhe pse ndoshta herët është për mushkonja, por të cilat janë bartës potencial të sëmundjeve që mund të sjellin shumë të tilla e të cilat pastaj mund të transmetohen tek qytetarët. Natyrisht edhe prania e materialeve të rrezikshme si bateritë ose mbetjet mjekësore, të cilat në rastin e baterive ende nuk kemi një sistem të caktuar të të ruajtjes dhe të hudhjes së tyre dhe potencialisht mund të dëmtojnë mjedisin”, u shpreh Valon Raka, njohës i çështjeve të ambientit.

Në kompaninë “Pastrimi” thanë se janë duke kërkuar një takim me Komunën e Prishtinës, mirëpo nuk kanë pranuar ende përgjigje.

Kryeshefi i saj, Petrit Reçica, akuzoi Komunën e Prishtinës se tashmë kanë kontraktuar operatorë të tjerë privatë, që sipas tij, janë të jashtëligjshëm.

“I kanë hapur rrugë operatorëve privat dhe logjika e tyre është që ata të kontraktojnë operatorë privat. Jo më larg se tani, me dy operatorë, 2 milionë euro me negocim të mbyllur, me ftesë në tavolinë e kë dëshirojnë ata. E në ndërmarrjen publike nuk i kryejnë obligimet dhe borxhet që i kanë, e përtej kësaj, përveç që nuk i kryejnë, mbajnë paranë jashtëligjshëm të qytetarëve, si pasojë e thirrjes së jashtëligjshme që e kanë bërë”, ka thënë ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se që nga e hëna, do të rikthehet normaliteti.

Ai ka thënë se Komuna po i shfrytëzon të gjitha kapacitetet alternative për ta menaxhuar situatën me mbeturinat.

“Ky është kulmi i papërgjegjësisë institucionale dhe i një praktike të përsëritur të shantazhit. Përkundër miliona eurove të investuara ndër vite, shërbimi i kësaj ndërmarrjeje ka qenë i paqëndrueshëm dhe, për fat të keq, është përdorur si instrument shantazhi për interesa të ngushta. Si kryetar i Prishtinës, ju siguroj që qytetarët nuk do të penalizohen për shkak të kalkulimeve politike të askujt”.

Kryeshefi i kompanisë “Pastrimi” ka thënë se me një situatë të ngjashme me menaxhimin e mbeturinave ka rrezik që të përballen edhe qytete të tjera në të cilat kjo ndërmarrje është përgjegjëse për grumbullim.

Ai ka bërë të ditur se kanë ngritur kallëzim penal ndaj Komunës për thirrjen për kryerje të pagesave për mbeturina tek ta dhe shkeljen e rregullores për mbeturinat.