Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i është përgjigjur deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, që e përmendi si një prej personave që sipas saj “kanë pasur më shumë se një arsye” për ta votuar si kandidate për kryeparlamentare të mërkurën.
Të premten, Gërvalla-Scharwz u shpreh se ish-bashkëpartiakët e saj në LDK kanë pasur disa arsye për ta votuar për kryeparlamentare. Këtu përmendi si arsyetim se “nuk ka person në skenën politike në Kosovë që është angazhuar më shumë për zbardhjen e krimeve të pasluftës”. Si deputetë që është dashur ta votonin ajo përmendi Besian Mustafën si djalin e Xhemajl Mustafës, Armend Zemajn si nipi i Tahir Zemajt dhe komandantët e Koshares, Anton Quni e Fadil Hadërgjonaj.
E në përgjigje, Quni ka thënë se u beson vetëm njerëzve besnikë edhe kur vështirësohen gjërat.
“Pse është e rëndësishme besnikëria në politikë? Për mua, besimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Kjo vlen edhe për politikën. E dëgjova ankesën e deputetes Donika Gërvalla-Schwarz që nuk e votova për kryetare të Kuvendit. Kjo më bëri të reflektoj mbi një standard që unë e kam thelbësor: besnikërinë. Kam një parim të palëkundur, si në jetë, ashtu edhe në punë: nuk mund t'ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë. Unë besoj vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen. Është kjo besnikëri që ndërton besim dhe bën të mundur punën e vërtetë, atë që është në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.
Donika Gërvalla ishte larguar nga LDK-ja më 2018 duke thënë se kjo parti ka humbur parimet e konceptet. Ajo tash është bashkëkryetarë e partisë Guxo dhe ishte pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për deputete. Deri tash ka shërbyer edhe si ministre e Punëve të Jashtme.
Donika Gërvalla të mërkurën i mori 56 vota pro. Madje ajo nuk e mori mbështetjen as të deputetes së VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshorte e ish-kryetarit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që tha se nuk votoi për shkak të postimeve akuzuese të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj vite më parë.
Gërvalla ia kthen Qunit: Besnikëria s’matet në raport me baballarët e koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, i është përgjigjur reagimit të Anton Qunit të LDK-së, pasi e akuzoi për mosvotimin për kryeparlamentare.
Fillimisht Gërvalla e akuzoi Qunin dhe disa deputetë të tjerë se kanë pasur më shumë se një arsye për ta votuar për kryeparlamentare, duke e përmendur të kaluarën e saj dhe angazhimin për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës të aktivistëve të LDK-së. E Quni në reagim iu përgjigj duke i thënë se i mbështet “vetëm ata që qëndrojnë besnikë edhe kur vështirësohen gjërat”.
Tani Gërvalla ka reaguar sërish.
“Besnikëria nuk matet në raport me shefat e partisë dhe baballarët e koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe, por në raport me shokët dhe kolegët e vrarë pas shpine. Komandant, ku e le besnikërinë ndaj Tahir Zemajt, Isuf Haklajt, Sebahate Tolajt e shumë të tjerëve? Apo e nxjerr nga sirtari vetëm kur është kohë votash?” ka shkruar ajo në Facebook.