Shtetet e QUINT-it, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe të riafirmojë përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë.
Misionet e tyre në Kosovë i kanë reaguar Qeverisë pasi ajo mori vendimin që disa prona ta paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe Zubin-Potokut të shpronësohen për interes publik. Sipas tyre, Qeveria nuk ka dëgjuar ekspertët ndërkombëtarë dhe ka shkelur ligjin.
“Disa prej misioneve tona më herët kanë ndarë me Qeverinë vlerësime nga ekspertët ndërkombëtarë juridikë, përfshirë nga EULEX-i, duke dhënë indikacione se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në deklaratën e tyre.
Këto misione kanë shprehur keqardhje që Qeveria nuk ka pritur që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të përfundonin para se të merrte vendim për shpronësimin.
“Është thelbësore që Qeveria të përpiqet të sigurojë se aktivitetet e shpronësimit përputhen me ligjin, që ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe palëve të interesit të respektohen plotësisht”, thuhet më tej.
Ambasadat e shteteve të QUINT-it, zyra e BE-së e OSBE-ja kanë deklaruar se ndarazi ia kanë shprehur Qeverisë shqetësimet se projektligji për shpronësime nuk është konform Planit të Ahtisaarit dhe se e kanë inkurajuar të ndryshojë atë para se ta miratojë.
Edhe
BE-ja dhe QUINT-i: Kosova të mos pengojë përdorimin e simboleve dhe flamujve kombëtar të komuniteteve
Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në dy komunat veriore në vitin 2023. Me vendimin paraprak, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe 33 hektarë në Zubin-Potok. Por, në vendimin e 30 majit të Qeverisë thuhej se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë.
Gjykatat në Kosovë, edhe pse në disa padi individuale patën anuluar vendimet e Qeverisë, i kanë hapur rrugë vendimit përfundimtar për shpronësim. Edhe Qeveria ka deklaruar se shpronësimi do të bëhet në bazë të aktvendimeve të gjykatave.
-
Kos e tronditur me deklaratat e ministres serbe për pastrim etnik në Kosovë
-
BE për deklaratën e Paunoviqit për pastrim etnik në Kosovë: Nuk ka vend në Evropë për avokim të pastrimit etnik
-
Konjufca në Këshill të Sigurimit: Serbia të përballet me realitetin, ta njohë Kosovën
-
Pesë qeveri të BE-së po dobësojnë vazhdimisht sundimin e ligjit, thotë raporti