Pas tri javësh grevë nga rreth 280 punëtorë të sigurimit fizik që kanë qenë të angazhuar në QKUK, është shpallur kompania fituese e tenderit për të kryer këtë shërbim. Por, tri kompani nga 9 sa i dorëzuan ofertat, janë ankuar në “gjykatën e tenderëve”, me pretendimet për favorizim në këtë proces prokurimi
Është shpallur kompania fituese e tenderit për sigurimin fizik të objekteve të QKUK-së, pas tri javë greve nga rreth 280 punëtorë të këtij shërbimi.
Ata aplikuan masa të presionit sindikal pas anulimit të tenderit të mëparshëm, nën dyshimin për favorizim.
Nga nëntë kompani në garë, “Sig” SH.P.K. është shpallur fituese të hënën. Ajo ofertoi me vlerën rreth 1 milion e 140 mijë euro, shumë të cilën QKUK-ja e përcaktoi si prag minimal në tender. Të gjitha ofertat më të ulëta janë refuzuar automatikisht.
Procesi është përcjellë me ankesa nga tri kompani pjesëmarrëse: “Rojet e Nderit”, “Security Code” dhe “Alb Eagle”. Këto kompani pretendojnë se tenderi është zhvilluar në mënyrë të padrejtë dhe me favorizim.
Kompania “Security Code” ka dorëzuar ankesë fillimisht në QKUK, e më pas në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ajo e cilëson pragun minimal si diskriminues dhe në favor të një operatori të caktuar.
“Ftesa për pjesëmarrje u publikua vetëm 2 minuta para përfundimit të afatit, duke pamundësuar përgatitjen adekuate të ofertave. Specifikimet teknike kërkojnë 51,801 orë pune në muaj, që korrespondojnë me 294 punëtorë, ndërsa autoriteti kontraktues kërkon vetëm 274 punëtorë, duke krijuar mospërputhje serioze”, thuhet në ankesën e “Security Code”.
KOHA ka kontaktuar të tri kompanitë që kanë paraqitur ankesa, por vetëm përfaqësuesit e “Security Code” kanë qenë të qasshëm. Ata thanë se pas dorëzimit të ankesës, nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare nga QKUK-ja.
“Arsyeja e refuzimit nuk ka ekzistuar fare. Nuk e kanë trajtuar ankesën/kërkesën tonë në mënyrë të strukturuar – na e kanë refuzuar pa asnjë argument. Nuk është shqyrtuar asnjë pikë e pretendimeve tona ankimore dhe është vepruar me një ngut të jashtëzakonshëm, gjë që nuk e kemi parë asnjëherë më parë në praktikën e sistemit të prokurimit në vitet e fundit”, ka thënë Faton Hajra nga “Security Code”.
Me pretendime të ngjashme janë ankuar edhe “Rojet e Nderit” dhe “Alb Eagle”, të cilat kanë paraqitur ankesat në OSHP.
KOHA ka tentuar të kontaktojë me përfaqësues të kompanisë fituese “SIG SHPK”, por nuk kanë qenë të qasshëm.
As ata të QKUK-së nuk u janë përgjigjur pyetjeve mbi pretendimin e kompanive ankuese.
Në mungesë të një kontrate aktive për sigurim, aktualisht 33 policë janë të angazhuar në shërbimin e sigurimit fizik të objekteve të QKUK-së.