Arbëri

Qindra ndërtime pa leje e pa procedura në parcelat bujqësore në Shtime

Vjetëve të fundit, në Komunën e Shtimes janë ndërtuar me qindra shtëpi e objekte banimi në parcela bujqësore, pa ndjekjen e procedurave të destinimit të tokës. Kjo ka nxitur reagimin e shoqërisë civile dhe thirrjet që Komuna të angazhohet në ruajtjen e tokës bujqësore

Me qindra shtëpi e objekte banimi janë ndërtuar gjatë viteve të fundit në Komunën e Shtimes, pa respektuar procedurat e destinimit të tokave bujqësore dhe pa leje ndërtimore. Kjo ka ndikuar që parcelat bujqësore në këtë komunë të tkurren me qindra e mijëra ari.

Monitoruesit nga Asociacioni për të Drejtat e Njeriut “YAHR” kanë thënë se institucionet duhet të gjejnë mënyra për ta ruajtur sa më shumë tokën bujqësore, ndërkaq objektet në zonat e lejuara duhet të ndërtohen sipas kritereve dhe lejeve ndërtimore.

“Ne si organizatë e kemi vërejtur këtë problem dhe mendojmë se duhet të intervenojnë institucionet e ndryshme për vetëdijesimin e qytetarëve, që paraprakisht para se të ndërtohet një objekt ose shtëpi e banimit duhet të pajisen me leje përkatëse për shndërrimin e pronës bujqësore në atë ndërtimore”, ka deklaruar Bekim Krasniqi, drejtor ekzekutiv në OJQ-në “YAHR”.

Në anën tjetër, Ramadan Rashiti, inspektor i Bujqësisë në Komunën e Shtimes, ka njoftuar se secili qytetar apo biznes që ndërton në parcela bujqësore, pa i ndjekur procedurat ligjore, do të përballet me ndëshkime sipas ligjit për mbrojtjen e tokës bujqësore, e me gjobë prej 5 mijë deri në 10 mijë euro. Ai ka theksuar se tokat bujqësore më së shumti dëmtohen nga bizneset.

“Sa u përket lejeve për shndërrimin e tokave bujqësore, ajo merret në urbanizëm, mirëpo disa prej tyre që janë jashtë zonës së urbanizmit nuk kanë të drejtë të bëjnë ndërtime dhe të nxirret leje për shndërrim të tokës bujqësore, mirëpo bizneseve u konvenon të ndërtojnë biznese dhe ata veprojnë në mënyrë ilegale”, është shprehur Ramadan Rashiti, inspektor i Bujqësisë në Komunën e Shtimes.

Sipas Rashitit, gjatë këtij viti, mbi 20 lëndë të tilla janë proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Ndërkaq janë pranuar me dhjetëra vendime me gjoba të larta për ndërtuesit në toka bujqësore.