Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka prioritet Projektligjin për Lotarinë e Kosovë.
Edhe pse Projektligji është sjell në Kuvend si nismë e deputetit të pushtetit Enver Haliti, Murati në mbledhjen e Komisionit për buxhet, punë dhe transfere që është mbajtur të mërkurën ka thënë se si Ministri nuk e vlerësojnë si prioritet këtë Projektligj.
Në mbledhjen ku në rend dite ka qenë shqyrtimi i këtij Projektligji Murati ka thënë se ka qenë një brengë sa i përket punëtorëve të Lotarisë së Kosovës, por se si lidhur me atë se si ka funksionuar, sipas Muratit ai nuk ka sjellë ndonjë përfitim.
“Sa i përket projektligjit në fjalë konsideroj se si Qeveri në listën e prioriteteve është më vonë, dhe pra për diskutimin se a duhet të kemi lotari apo jo si shtet nuk është njëherë në prioritetin tonë. Kemi të bëjmë për një aktivitet që është i lejuar në disa shtete, por në parim bëhet fjalë për një taksë regresive, të hyrat të mblidhen nga ata që kanë më pak e jo nga ata që kanë më shumë”, është shprehur Murati.
Me qëndrimin e ministrit është deputeti i Vetëvendosjes Eman Rrahmani. “E kanë target atë kategori të shoqërisë që mendojnë të pasurohen për një ditë. Kërkoj me mirëkuptim nga deputeti Enver Haliti ta tërheq iniciativën. Kemi përpara tjera prioritete. Mundeni shumë më shumë si qeverisje të bëjmë për lojërat e fatit. Janë grupe të rrezikshme e kriminale që merren më këto pune që i zhvillojnë aktivitete e tyre në mënyrë ilegale. Sugjeroj të merreni me këtë dukuri”, ka theksuar Rrahmani.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se pajtohet që Projektligji të tërhiqet.
“Sa i përket iniciativës, ajo vjen nga mazhoranca. Është dashur të analizohen benefitet dhe rreziqet e këtij ligji. Kosova ka prioritet tjera dhe tani të mendojmë të miratojmë këtë ligj është nguti dhe duhet të analizohet mirë. Pajtohem të tërhiqet ky ligj dhe në kohen kur përmbushen prioritet tjera mund ta sjellim”, është shprehur Lekaj.
Deputeti Haliti ka thënë se nuk beson që ka pasur nguti sa i përket sjelljes së këtij ligji, sepse sipas tij në vitin 2019 është përcjellë në Kuvend për lexim të parë por me shpërbërjen e Kuvendit, ai ka shkuar në pikën zero.
Sipas tij qëllimi ka qenë që kjo fushë të rregullohet me ligj. “Kemi informacione që ky aktivitet zhvillimet në formë antiligjore, çka do të thotë që po zhvillohet ky aktivitet por që buxheti i Kosovës nuk përfiton nga taksat”, është shprehur Haliti, por edhe ai është pajtuar që Projektligji të tërhiqet.
Anëtarët e Komisionit janë pajtuar që vendimi për tërheqjen e këtij Projektligji të merret javën që vjen.