Pas mbledhjes së Qeverisë të premten, ka munguar konferenca e zakonshme për media, të cilën zyrtarë të kabinetit e mbajnë rëndom. Politologë e profesorë të gazetarisë e kualifikojnë të nevojshme transparencën në Ekzekutiv, teksa kombinimin e komunikimit me publikun nëpërmjet kanaleve tradicionale e shohin edhe si mënyrë për pengimin e shpërndarjes së dezinformatave
Mbledhja e dytë e kabinetit të ri qeverisës, të premten u karakterizua me mungesë të konferencës për media që mbahet rëndom pas saj e në të cilën kryeministri apo ministrat shpalosin hollësi për çështjet e adresuara.
Në mungesë të saj, rreth 12 çështje që janë trajtuar në mbledhje mbetën pa sqarime.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPolitologu Melazim Koci ka thënë se Qeveria nuk duhet ta përsërisë qasjen jotransparente që e ka karakterizuar në mandatin e kaluar.
“Në katër vjetët e kaluar ka pasur mostransparencë, nuk ka pasur transparencë të mjaftueshme. Unë uroj që të mos përsëritet sërish tani, sepse thjesht nuk e shoh të arsyeshme, nuk e kuptoj pse duhet të iket nga gazetarët, të fshehën të dhënat. Nuk ka arsye”, ka thënë Koci.
E profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, e konsideron të rëndësishme zhvillimin e konferencave, në të cilat mundësohet ballafaqimi i zyrtarëve shtetërorë me pyetjet e gazetarëve.
“Besoj që është shumë e rëndësishme që institucionet, krahas komunikimit që e kanë me qytetarët në mediat sociale, që mund të jetë komunikim më i shpejt dhe më i drejtpërdrejt, ta kombinojnë edhe me kanalet tradicionale, edhe me mediat tradicionale, në mënyrë që informacioni të jetë sa më i qasshëm për të gjithë. Edhe, në anën tjetër, gjithashtu edhe të ketë mundësinë e ballafaqimit, nga gazetarët fjala vjen, kur mbahet konferencë për media, për shembull”, ka thënë ai.
Ai thekson se në këtë mënyrë do të ndikohet edhe në pengimin e shpërndarjes së dezinformatave.
“Është shumë e rëndësishme të ekzistojë kjo praktika e kombinimit në mes të mediave sociale dhe mediave tradicionale edhe për faktin se qytetarët shumë herë informohen nga të dyja burimet por edhe, për të themi, zbutjen ose zvogëlimin e mundësive të dezinformimit për çështje të caktuara, duke pas reagim të shpejt nga institucionet tona qoftë në mediat sociale, qoftë në mediat tradicionale dhe duke mos e lejuar publikun që paraprakisht ndoshta të dezinformohet dhe të marrë informacione të manipuluara në adresa të tjera”, ka thënë Gërguri.
Në Qeveri nuk janë përgjigjur në pyetjen se çfarë mënyre komunikimi do të zbatojë me publikun në mandatin e ri.