Tash e disa ditë neni 8 i Ligjit për Skemat Pensionale që privonte qytetarët pa 15 vjet përvojë pune para luftës nga pensioni kontributdhënës është shfuqizuar. Por, kur ky diskriminim është larguar nga Kushtetuesja, pensionistëve u ka dalë problemi me mungesën e ligjit, të cilin Qeveria e Kuvendi nuk e kanë finalizuar, pavarësisht se patën 7 muaj kohë
Nga 15 korriku i këtij viti qytetarët që nuk e kanë përmbushur kriterin e përvojës së punës prej 15 vjetësh para janarit të vitit 1999, përveç pensionit të moshës u takon ta marrin edhe atë kontributdhënës.
Me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, më 15 korrik është shfuqizuar paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale, me të cilin pensionistët me më pak se 15 vjet përvojë para luftës ishin privuar nga e drejta për pension kontributdhënës.
E tash, kur ky diskriminim është eliminuar, pensionistëve u ka dalë problemi me mungesën e ligjit, i cili në bazë të aktgjykimit do të duhej të hynte në fuqi më 15 korrik, por Qeveria e Kuvendi nuk e finalizuan.
E sipas juristëve, pa bazë ligjore Ministria nuk mund t’i ekzekutojë ato.
Avokati Yll Zekaj e sheh edhe një mundësi për nxjerrjen e pensioneve – përmes padive.
“Të gjithë qytetarët pas 15 korrikut të këtij viti të cilëve më herët nuk u është njohur kjo e drejtë mund të aplikojnë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka obligim që t’ia njohë këtë të drejtë dhe t’i fusë në listën e pensionistëve kontributpagues. Nëse e njëjta nuk ndodh, atëherë këta qytetarë kanë të drejtën e plotë dhe kanë bazë të plotë që të padisin shtetin dhe ta realizojnë këtë të drejtë të tyre përmes rrugëve gjyqësore, përmes gjykatës”, ka thënë Zekaj.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se vonesat e Qeverisë e të Kuvendit përveçqë flasin për neglizhencë e mosrespektim të vendimeve të Kushtetueses, do t’u kushtojnë financiarisht qytetarëve dhe shtetit.
“Qytetarët në anën tjetër do të jenë të ngarkuar me procedura të tejzgjatura të cilat do t’u ngarkohen si barrë buxhetore për ushtrimin e padive në gjykata të rregullta, në anën tjetër do të ngarkohet sistemi gjyqësor me mbi 74 mijë lëndë dhe në anën tjetër do të ngarkohet sistemi buxhetor i Kosovës”, ka thënë Jakaj.
E Njazi Gashi, nga Shoqata e Pensionistëve, thotë se nëse nuk nis ekzekutimi i pensioneve kontributpaguese, do të nisin edhe paditë kundrejt Qeverisë.
“Ne si OJQ do të bëjmë padi në emër të të gjithë atyre që u është mohuar e drejta në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Gashi.
Projektligji për skemat pensionale është miratuar në Qeveri 10 ditë pa skaduar afati i përcaktuar nga gjykata.
Ndërkaq tek të enjten Kuvendi do ta shqyrtojë në lexim të parë.