Arbëri

Williams: Thaçi në terren para nënshkrimit të Rambujesë, nuk mundi ta takonte senatorin Dole

Paul Williams

Ish-këshilltari i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams, ka deklaruar para Dhomave të Specializuara se ish-presidenti Hashim Thaçi ka dalë në terren për të marrë miratim prej komandantëve të zonave. Tha se këtë e di, pasi Thaçi e humbi mundësinë për ta takuar kongresistin Bob Dole.

“Ua them me siguri që ai ka shkuar në terren për të mbledhur nënshkrimet e komandantëve të zonave. Paralelisht me këtë kishte kosto të caktuar politike sa i përket marrëdhënies me Bob Dole sepse ai ishte në terren. Pra, ai ishte në terren dhe nuk e kishte të mundur që të takohej me senatorin Bob Dole dhe kjo pati një kosto domethënëse politike, ndërkohë që unë u sigurova që ai ishte në terren, ishte duke u takuar me komandantët e zonave”, tha Williams.

Dëshmitari Williams i tha gjykatës speciale se për takimet e tij ka dëgjuar edhe nga diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

“Në qoftë se ju më pyesni se a mund ta vërtetoj ose a kam unë informacion faktik për ta mbështetur ose provuar që z. Thaçi është takuar me komandantët e zonave, përgjigja është jo. Arsyeja pse e kam këtë mendim është sepse kur u ktheva në Washington kam pasur biseda gjerë e gjatë me diasporën shqiptare të Amerikës dhe i kam pyetur se ç’po ndodhte, se cilat ishin zhvillimet dhe më kujtohet që ata më kanë thënë se Hashim Thaçi duhet të kthehej e të fliste me komandantët lokalë. Edhe një herë, janë thashetheme, janë fjalë që mi kanë thënë ata mua, pra se ai po shkon nga njëra zonë te tjetra, po merr nënshkrimet e tyre, ka një letër me vete, e të tjera. Edhe një herë, këtë ma kanë thënë mua shqiptarët e Amerikës dhe po ua them unë juve”, deklaroi dëshmitari.

Duke iu përgjigjur pyetjes të gjyqtarit Guenael Mettraux, se a ka mundur t’i konfirmojë informatat e dorës së dytë apo të tretë me burime të tjera, dëshmitari tha se nuk ka mundur t’i vërtetojë ato në këtë formë.

Lexo përditësimet tjera
Paul Williams

Paul Williams përfundon dëshminë para Speciales

Paul Williams, dëshmitari i dytë i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, të enjten ka përfunduar dëshminë...