Arbëri

Qentë endacakë rrezikojnë lipjanasit, Komuna synon “zgjidhje afatgjate” bashkë me Qeverinë

Qytetarët e Lipjanit po ndihen të rrezikuar nga qentë endacakë, për të cilët kanë thënë se kohëve të fundit janë bërë më agresivë në rrugët lokale, por edhe në qendër të qytetit. Ndonëse Komuna e Lipjanit vjetëve të fundit ka trajtuar qentë endacakë me buxhet të vetin, zyrtarët komunalë kanë hedhur dyshime se qentë endacakë po sillen nga qytete tjera. Çështja u bë temë debati edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal. Zyrtarët u arsyetuan se trajtimi i qenve endacakë ka kaluar në nivel qendror dhe po synohet një zgjidhje afatgjate.

Lulzim Zejnullahu, qytetar nga Lipjani, ka thënë se duhet të merren masa nga institucionet përkatëse sepse për çdo mëngjes po rrezikohen nga qentë endacakë.

“Sa herë që dalim nga shtëpia hasim në dhjetëra qen endacakë qoftë nëpër lagje apo edhe në qendër të qytetit. E kjo, është shqetësuese për të gjithë, prandaj komuna apo institucionet tjera është mirë të marrin masa sepse qentë endacakë nëpër rrugë janë bërë shumë agresivë ndaj qytetarëve”, ka thënë Zejnullahu.

Ndërkaq, Besiana Syla, kuvendare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, ka kritikuar Komunën për mosmarrje të masave.

“Ka raste kur qytetarët po sulmohen nga qenët endacak, ndërkaq ky problem përveç se është në qytet, është edhe në fshatrat Banullë dhe Bregu i Zi. Kjo temë është ngritur edhe në seancat e kaluara, mirëpo Komuna nuk ka marrë masa konkrete. Ndërkaq, meqenëse në muajin maj dhe qershor bëhej projektimi i buxhetit, do të duhej të shikohen të gjitha mundësitë që të ndahen mjete për zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë ajo, duke shtuar se komuna mund ta ndajë ndonjë parcelë të përshtatshme në të cilën mund të ndërtohej strehimore për trajtimin e qenve endacakë. “Duhet theksuar se me gjasë duhet mbikëqyrur ajo strehimore nëpërmjet ndonjë kompanie e cila i kontrollon ata. Rrjedhimisht do të duhet të ndaheshin mjete për çdo vit në mënyrë që qenve endacakë t’u sigurohej ushqim, andaj në këtë mënyrë do të zgjidhej ky problem dhe qytetarët nuk do të dihen të rrezikuar. Projektet e tilla do të jenë shembull edhe për komunat e tjera të cilat ballafaqohen me telashe të tilla”, ka thënë Syla.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, në mbledhjen e fundit të Kuvendit ka thënë se çështja e qenve endacakë është një problematik për të cilën është debatuar disa herë, por që niveli qendror nuk po gjen zgjidhje të përhershme.

“Ne nuk po mund të kufizohemi vetëm në Lipjan sepse pastaj i sjellin qentë endacakë nga komunat tjera. Komunat e kanë pasur një takim me nivelin qendror rreth kësaj çështje ku personalisht isha edhe unë, andaj jemi në kërkim të përbashkët me nivelin qendror për zgjidhjen e kësaj çështje në afat gjatë. Qeveria e Kosovës ka ndarë një fond për këtë çështje për Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës dhe bashkë me këtë agjenci do të provojmë të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Ahmeti.