Me gjithë tërheqjen e kërkesës nga presidentja Vjosa Osmani, pritshmëritë janë që Kushtetuesja të ofrojë qartësi për mënyrën se si duhet administruar seanca konstituive e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese të mërkurën ka reaguar pas njoftimit të presidentes duke thënë se ndarja e lëndëve për shqyrtim te gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave procedurale
Qartësi më të madhe nga Gjykata Kushtetuese për mënyrën se si duhet administruar seanca konstituive e legjislaturës së nëntë, presin njohës të zhvillimeve, pavarësisht tërheqjes së kërkesës nga presidentja Vjosa Osmani.
E Gjykata Kushtetuese ka dalë të mërkurën me një sqarim pas reagimeve lidhur me gjyqtarin serb, Radomir Laban, i cili u bë shkas për tërheqjen e kërkesës nga Osmani të martën.
Sipas Kushtetueses, ndarja e lëndëve për shqyrtim te gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese bëhet në bazë të rregullave procedurale.
“Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”, thuhet në reagimin e Kushtetueses.
Sa i përket çështjes së Labanit, në Kushtetuese deklaruan se ai punon që nga viti 2011, fillimisht në pozitën e këshilltarit juridik e më 9 gusht të vitit 2018 ushtron funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i ka kryer të gjitha procedurat kushtetuese e ligjore.
“...I njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi u është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të martën për tërheqjen e kërkesës së dorëzuar më 22 korrik lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.
Pavarësisht se një palë mund ta tërheqë kërkesën nga shqyrtimi i mëtejmë në Gjykatën Kushtetuese, Rregullorja e Punës së Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtë gjykatës që të nxjerrë vendim meritor për çështjen e ngritur.
Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI, thotë se pret që aktgjykimi të jetë i qartë dhe të sqarojë mënyrën e administrimit të seancës nga kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari.
“Konkretisht nëse është në përputhje me Kushtetutën insistimi për ta formuar një komision për votim të fshehtë në këtë formë siç ka imponuar z.Dehari. Pres gjithashtu që aktgjykimi të sqarojë se a është konsumuar apo jo afati 30-ditor dhe a ka hapësirë që të rivendoset një afat shtesë nëse konstatohet fakti që deri tani kryesuesi Dehari ka shkelur rregulloren dhe Kushtetutën kur ka imponuar procedurën e tillë. Po ashtu pres që të sqarojë se e drejta e propozimit për kryetarin e Kuvendit a është e drejtë absolute, e pakufishme edhe në rastet kur grupi parlamentar më i madh nuk arrin ta krijojë shumicën parlamentare”, ka thënë Bugaqku. “Pra, gjykata mund të sqarojë se a ekziston mundësia që në këto rrethana të mundësohet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nga ndonjë mënyrë tjetër e propozimit. Si dhe mendoj që do t’i tregoj edhe konsekuencat e moszbatimit të afatit 30- ditor”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar të mërkurën masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.
“Mendoj se duhet të presim edhe pak ditë. Në këtë javë do ta njoftojnë se çfarë do të ndodhë pas 30 ditëve. Nuk e di se cila do të jetë zgjidhja natyrisht. Është dëm i madh që Kosova nuk ka Kuvend, Kosova ka qenë qeveri në detyrë. Vetëm në gjashtë seanca kanë qenë duke e votuar jo suksesshëm kandidaten tonë Albulena Haxhiu, të gjitha të tjerat në 45 sosh është duke u mohuar votimi i fshehtë. Është shumë gabim që deputetët opozitarë e bojkotojnë votimin dhe duke e kundërshtuar votimin e fshehtë. Nuk ka përparësi votimi. I hapur ndaj të fshehtë dhe anasjelltas. Le të presim dhe të marrim vesh si të vazhdojmë më tutje”, ka thënë Kurti pasi vizitoi nga afër punimet që janë duke u zhvilluar në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.
Osmani më 22 korrik i ishte drejtuar Kushtetueses me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.
Më 26 korrik përfundoi afati i Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit. Pas kësaj, pësoi një masë e përkohshme e gjykatës që nuk i lejon deputetët të marrin asnjë veprim për dy javë, deri më 8 gusht. Gjatë kësaj periudhe u prit një tjetër sqarim nga Kushtuesja. Por tri ditë para skadimit të afatit ky sqarim nuk është bërë.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese është duke trajtuar edhe kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.