Rruga “Prekazi” në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, e cila ishte dashur të përfundonte në muajin dhjetor, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Banorët ankohen se punimet as nuk kanë përfunduar, por edhe se ato nuk janë duke vazhduar. Kompania fituese është arsyetuar me kushtet atmosferike.
Elsta Mustafa
Në këtë gjendje vazhdon të jetë rruga “Prekazi” në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, ndonëse sipas kontratës së nënshkruar mes Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë “NNT ABC”, asfaltimi i saj duhej të përfundonte në mes të dhjetorit të vitit të kaluar.
Banorët ankohen se punimet nuk kanë përfunduar dhe as nuk janë duke vazhduar.
Banori Halil Matoshi ka thënë se punimet filluan gjatë fushatës e u ndalën pas përfundimit të saj.
“Kjo u premtu gjatë fushatës para zgjedhjeve komunale.E kan fillu, veq e kanë prish. Ka qenë e shtrume në kocka, nuk kanë qenë kumedit sa të mira, po ma të mira se këto kanë qenë. Si përfundoi edhe shkuam në balotazh atëherë i dhanë zor edhe ma shumë. M’u anku s’jemi anku, këtu e kam biznesin dhe po më pengon shumë” , tha Matoshi.
Për fillimin e punimeve kishte njoftuar përmes një postimi në Facebook më datën 10 nëntor të vitit 2025 ish-drejtori i investimeve kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli.
Në këtë postim, Havolli, pati shkruar se rruga është në realizim e sipër.
Sipas tij, rruga do të ketë standardin që e meriton, duke përfshirë kanalizim fekal dhe atmosferik, rrjetin e ujësjellësit, asfaltim dhe trotuare anësore.
KOHA ka kontaktuar ish-drejtorin për arsyen e mosvazhdimit dhe përfundimit të rrugës në afatet e parapara në kontratë, mirëpo, Havolli tha se aktualisht nuk mund të përgjigjet deri sa të emërohet sërish drejtor.
“Ju thërras javën e ardhshme, se deri sa të emërohem nuk mundem me u përgjigjë.. pa marrë parasysh nuk jam drejtor, jam asamblist”, tha Havolli.
Ndërsa, nga kompania që e ka fituar tenderin për asfaltimin e kësaj rruge “NNT ABC”, për moskryerjen e punimeve janë arsyetuar, duke thënë se pengesë kanë qenë kushtet atmosferike.
“Me komunën ata i kanë mbikëqyrësit, ata e dinë, janë disa kushte atmosferike, me shi, me borë”, tha pronari i kompanisë "NNT ABC", Mirsad Jetullahu.
Sipas kontratës së nënshkruar më datën 8 tetor të vitit 2025 për “Rregullimin e krahëve të rrugës "Muharrem Fejza” – “Rr. Prekazi”, data e përfundimit të të gjitha punimeve do të jetë 60 ditë kalendarike nga data e nënshkrimit të kontratës.
Çmimi i punimeve, sipas kontratës, është 394.772.28 euro.