Arbëri

Punëtorët e sigurimit fizik në QKUK e përfunduan sot grevën

Punëtorët e sigurimit fizik në QKUK

Punëtorët e sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e kanë përfunduar grevën dhe pritet që qysh nga e marta t’i kthehen punës në këtë institucion shëndetësor, raportoi Ekonomia Online.

Përfundimi i grevës u votua njëzëri nga punëtorët.

Këta hapa erdhën pas nënshkrimit të kontratës për tender të sigurimit fizik në QKUK midis Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) dhe kompanisë fituese të tenderit.

Pronari i kompanisë fituese në këtë tender, Ferid Berisha, njoftoi se nënshkruan kontratë gjashtëmujore.

“Kontrata për ne është premtim dhe premtimin do ta realizojmë deri në fund. Sa i përket të drejtave të punëtorëve, të gjitha janë të cekura në kontratë, si vlerat, si rrogat, si koha e caktuar, kështu që ne me përpikëri do të mundohemi t’i realizojmë këto. Nga sonte punëtorët i kthehen punës”, tha Berisha.

Ndërsa, kryetari të Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se i ofrojnë bashkëpunim kompanisë, por theksoi se në momentin që nuk e respekton ligjin nuk e njohin asnjë kompani.

“Kompanisë së re, e cila nuk ka qenë e panjohur, i ofrojmë bashkëpunim të mjaftueshëm. I themi këtu përpara që për ne nuk ka qenë me rëndësi cila kompani do të jetë e para. Ne ftojmë pronarin e kompanisë që të kërkojë me përkushtim që kjo kontratë të zbatohet, ashtu siç është. Unë jam tip i tillë që njoh kontratat, njoh kompanitë deri në atë moment që e respektojnë ligjin. Në momentin që nuk e respekton ligjin nuk e njoh asnjë kompani. Por i ofrojmë bashkëpunim dhe përfundimisht ne këtë grevë do ta mbyllim. Që nga dita e parë kjo grevë ka pasur qëllim social e jo qëllim politik”, ka thënë Azemi.