Punëtorët e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” po e vazhdojnë edhe të premten grevën para Komunës së Prishtinës, për shprehjen e pakënaqësisë për gjendjen e rënduar financiare të ndërmarrjes.
Gjithashtu kamionët e ndërmarrjes janë parkuar në rrugën përpara objektit të Komunës.
Ndërkohë me gjithë paralajmërimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, se gjendja me grumbullimin e mbeturinave do të përmirësohet gjatë javës, lagje të kryeqytetit edhe të premten janë të mbërthyera nga bërlloku.
Në njoftimin e shoqatës sindikale të “Pastrimit” për grevën është theksuar se një prej kërkesave është zgjidhja emergjente e situatës së rëndë financiare të krijuar “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”.
“Formati i tubimit: Pjesëmarrës: rreth 300 punëtorë dhe të punësuar të KRM ‘Pastrimi’; Vendndodhja: përreth objektit të Komunës së Prishtinës, me qëndrim të vazhdueshëm; Do të përdoren rreth 20 kamionë, të cilët do të parkohen në mënyrë të rregullt dhe pa bllokuar rrugët emergjente; Greva do të jetë paqësore, pa ndërhyrje në veprimtarinë e organeve publike dhe në koordinim me autoritetet policore”, thuhej në njoftimin për grevën që ka nisur të enjtën në mëngjes.
E në Komunën e Prishtinës kanë fajësuar menaxhmentin që qëndron prapa grevës për “keqpërdorimin e punëtorëve për qëllime politike”.
“Ka kohë që kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa jemi duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendjeje, grumbullimi i punëtorëve të KRM 'Pastrimi' para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë”, është thënë në reagimin e Komunës.
Në sindikatën e “Pastrimit” kanë kërkuar që Komuna e Prishtinës t’i shkëpusë kontratat me operatorë privatë që ofrojnë shërbime paralele e të cilat “e dëmtojnë funksionimin dhe të ardhurat e ndërmarrjes publike”.