Arbëri

Punëtorët e “Pastrimit” vazhdojnë grevën, kërkojnë kthimin e mjeteve financiare për të nisur punën

Protesta e punëtorëve të Pastrimit

Foto: Driton Paçarada

Sindikata e Punëtorëve të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” ka thënë se nga ora 14:00 do të nis largimi i kamionëve, që ishin parkuar pranë objektit të Komunës së Prishtinës, derisa paralajmëruan që greva do të vazhdojë.

Sindikata tha se e mbështet vendimin e Gjykatës Supreme që vendosi që faturat për shërbimin t’i paguhen vetëm “Pastrimit”, derisa shtoi se greva do të vazhdojë në oborrin e Komunës deri në përmbushjen e kërkesave.

Po ashtu, sindikata tha se iu kërkon falje qytetarëve dhe bizneseve “të cilave u kemi penguar zhvillimin e veprimtarisë së tyre për shkak të vendosjes së automjeteve të kompanisë sonë”.

Pas aktgjykimit të Supremes, sindikalistët shtruan kërkesat për Komunën e Prishtinës, ku në mesin e tyre përmendën kthimin e mjeteve financiare, të bëhet thirrje për faturim të pagesave nëpërmjet “Pastrimit”, të largohen operatorët privatë dhe të ketë qasje konstruktive dhe bashkëpunuese në të ardhmen.

“Të kthehen të gjitha mjetet financiare të inkasuara në mënyrë të paligjshme deri më tani nga Komuna e Prishtinës, në afatin sa më të shpejt që ne të fillojmë mbledhjen e mbeturinave. Të bëhet një dalje publike në media nga autoritetet përkatëse të Komunës, të bëhet thirrje se faturimi dhe pagesat duhet të kryhen ekskluzivisht përmes KRM Pastrimi. Të largohen plotësisht operatorët privat nga operimi i mbledhjes së mbeturinave dhe të fillojë zbatimi i plotë i rregullores në fuqi. Të ndalet çdo keqinterpretim nga ana e autoriteteve të komunës, pasi çdo veprim jashtë Aktgjykimit është i jashtëligjshëm dhe cenon të drejtat e 900 punëtorëve, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë. Të ketë një qasje më konstruktive dhe bashkëpunuese në të ardhmen, duke garantuar që Sindikata të jetë e informuar dhe e përfshirë në të gjitha vendimet që ndikojnë në të drejtat e punëtorëve”, thuhet në letrën e sindikatës për Komunën.