Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e financiare të audituara të partive politike për vitin 2024.
Sipas raportit Lëvizja Vetëvendosje gjatë vitit 2024 ka pasur të hyra 2 milionë e 337 mijë e 168 euro dhe ka shpenzuar 1 milion e 805 mijë e 296 euro.
Në raportin për Partinë Demokratike të Kosovës thuhet se të hyrat për vitin 2024 ishin 1 milion e 16 mijë e 978 euro ndërkohë shpenzimet 941 mijë e 266 euro.
Sipas raportit Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur të hyra në vlerë prej 643 mijë e 47 euro, ndërkohë që ka shpenzuar 594 mijë e 398 euro.
Në raportin për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thuhet se për vitin 2024 kjo parit ka pasur të hyra në vlerë 314 mijë e 390 euro, ndërkohë që ka shpenzuar mbi 50 mijë euro më shumë ose 365 mijë e 128 euro.
Në njoftimin e KQZ-së thuhet se këto raporte janë audituar nga auditorë të cilët janë përzgjedhur nëpërmjet një konkursi të hapur publik nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).
Auditori për VV-në: Mungesë dokumentacioni në disa raste e mosdeponim i të hyrave nga anëtarësimet
Sipas raportit financiar të audituar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Lëvizjen Vetëvendosje, të hyrat e kësaj partie më 2024 ishin 2,337,168 kurse shpenzimet ishin 1,805,296.
Auditori ka gjetur se ka pasur mungesë të dokumentacionit të rregullt në disa raste të shpenzimeve nga LVV. Në raport thuhet se për disa raste të blerjeve të shpenzimeve, Vetëvendosje ka pranuar vetëm kupona fiskal dhe nuk ka dokumentacion relevant mbështetës që do të mund të arsyetonin shpenzimet e ndodhura.
“Gjithashtu është vërejtur se ka raste kur faturat e shpenzimeve nuk janë të lëshuara në emër të subjektit politik, por në emër të anëtarëve apo menaxhmentit. Kjo praktikë bie ndesh me kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi, të cilat kërkojnë që shpenzimet e subjektit politik të jenë të dokumentuara me fatura të rregullta dhe të lëshuara në emër të vetë subjektit”, thuhet në raport.
Po ashtu, u gjet se LVV nuk ka deponuar të hyra nga anëtarësimet në llogarinë bankare.
“Gjatë shqyrtimit financiar u konstatua se në vitin 2024, subjekti politik ka pranuar 493.50 euro nga anëtarësimet në para të gatshme, të cilat nuk janë derdhur në llogarinë bankare. Edhe pse kjo shumë përfaqëson vetëm 0.03% të të hyrave të përgjithshme, veprimi bie ndesh me kërkesat e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 08/L-122, me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058 si dhe Rregullorja Nr. 06/2024 për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen Financiare të Subjekteve Politike, që obligojnë subjektet politike të kryejnë të gjitha transaksionet përmes llogarisë së vetme bankare dhe të deponojnë të hyrat në para të gatshme brenda 5 ditësh nga pranimi”.
Auditori: PDK-ja pa dokumentacion për qira dhe kontribute, shkelje në menaxhimin financiar
Raporti i Auditorit të pavarur ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës ka bërë mospasqyrim të saktë të kontributeve në natyrë dhe të shpenzimeve të qirasë, ku ka cekur se ka shpenzuar 2.900 euro për një objekt në Gjilan, për të cilin u tha se s'është e qartë pronësia.
Sipas raportit, PDK-ja ka nënshkruar se objekti është në shfrytëzim nga 1999-a, por nuk ekziston dokumentacioni mbështetës që vërteton të drejtën e shfrytëzimit të pronës. Raporti thekson se mungesa e të dhënave krijon pasiguri për korrektësinë e prezantimit të kontributeve.
Po ashtu, në raport thuhet se PDK-ja ka mungesë të procedurave të prokurimit, ku thekson se “subjekti politik nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të formalizuar të tenderimit për blerjet dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve”.
“Për më tepër, subjekti politik nuk ka krijuar dhe zbatuar politika dhe procedura të menaxhimit financiar dhe kontrollit për procesin e prokurimit, duke krijuar paqartësi në menaxhimin dhe dokumentimin e shpenzimeve”, thuhet në raport.
Auditori tutje ka shtuar se Partia Demokratike ka mungesë të nënshkrimeve të rregullta në pasqyrat financiare.
Po ashtu, për shfrytëzimin e objekteve komunale, raporti bën me dije se gjatë 2024-s PDK-ja i ka përdorur 28 zyra, ku tri prej tyre i shfrytëzon pa pagesë, që thuhet se kjo është në kundërshtim me ndalesat ligjore për kontribute në natyrë.
“Gjatë auditimit është konstatuar se subjekti politik, gjatë vitit 2024, ka operuar me një rrjet prej 28 zyrash në komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, ku për tri prej tyre shfrytëzon objekte komunale pa pagesë qiraje. Këto përfitime nuk janë deklaruar si donacione në natyrë, siç kërkohet me legjislacionin përkatës. Sipas Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-122, subjektet politike ndalohen të pranojnë donacione apo përfitime në natyrë nga institucionet publike, përfshirë komunat. Pranimi dhe mosdeklarimi i këtyre përfitimeve përbën shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave ligjore, cenon transparencën dhe rrit rrezikun për ndikim të paautorizuar institucional në veprimtarinë e subjektit politik”, thuhet tutje në raportin e publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Raporti i plotë i Auditorit Këtu.pdf
Auditori thotë se pasqyrat financiare të LDK-së kanë mungesë transparence dhe kontrolli
Një raport auditimi i përgatitur nga auditori i pavarur që është përzgjedhur nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të këtij subjekti politik për vitin 2024, duke evidentuar një sërë shkeljesh dhe mangësish që prekin transparencën financiare dhe zbatimin e rregullave të brendshme të kontrollit.
Auditori ka shqyrtuar “Pasqyrën e Pozitës Financiare” si dhe “Pasqyrën e të Hyrave dhe Shpenzimeve” për periudhën përkatëse. Sipas raportit, me përjashtim të çështjeve të theksuara në seksionin për opinionin e kualifikuar, të gjeturat pasqyrojnë drejt gjendjen financiare të subjektit në përputhje me ligjin për financimin e subjekteve politike.
Çështjet kryesore që çuan në opinion të kualifikuar (që realizohet kur identifikohen probleme në pasqyrat financiare v.j.), sipas auditorit:
Mungesë dokumentacioni pronësie dhe qiraje për selinë qendrore – Një pjesë e objektit të selisë së LDK-së përdoret pa kontrata valide ose fletë poseduese, gjë që, sipas auditorit, kufizon aftësinë për të verifikuar ekzistencën dhe saktësinë e pasurive të regjistruara.
Mungesë transparence në blerje dhe tenderim – Subjekti politik nuk ka zbatuar procedura të formalizuara të tenderimit për shpenzimet dhe blerjet, duke rritur rrezikun për përdorim joefikas të fondeve dhe për mungesë transparence.
Moszbatim i kontrollit të brendshëm financiar – Sipas raportit, LDK-ja nuk ka ushtruar asnjë kontroll të brendshëm gjatë vitit 2024, ndonëse kjo është kërkesë e përcaktuar nga ligji dhe statuti i subjektit politik. Komisioni mbikëqyrës nuk ka ofruar asnjë raport të punës për këtë periudhë.
Mungesë dokumentacioni për tetë zyra të tjera në Kosovë – Për zyrat që funksionojnë jashtë selisë qendrore, mungon dokumentacioni që dëshmon të drejtën e shfrytëzimit, duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të mundshëm të fondeve.
Përgjegjësitë e menaxhmentit dhe të auditorëve
Auditori thekson se menaxhmenti i LDK-së është përgjegjës për përgatitjen e saktë të pasqyrave financiare dhe për zbatimin e kontrolleve të brendshme që garantojnë raportim të drejtë financiar.
Auditori ka thënë se për këtë raport ka zbatuar Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA) dhe kanë mbledhur evidencë të mjaftueshme për të nxjerrë një opinion të kualifikuar, duke theksuar se çështjet e ngritura janë me ndikim të rëndësishëm në paraqitjen e drejtë të gjendjes financiare.
Raporti nënvizon nevojën për masa urgjente nga Kryesia e LDK-së për të përmirësuar sistemin e kontrollit të brendshëm, dokumentimin e pronës, dhe procedurat për menaxhimin e fondeve publike në përputhje me ligjin.
“Mospërmirësimi i këtyre çështjeve rrezikon jo vetëm besueshmërinë financiare të partisë, por edhe pajtueshmërinë me ligjin për financimin e subjekteve politike”, thuhet ndër të tjera në raport.