Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Sot në Kosovë shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare të Punëtorëve. 

Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, ka zhvilluar një protestë, ndërkohë që deri me tani në vendin e punës brenda këtij viti kanë humbur jetën 10 punëtorë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ministri për Punë, Andin Hoti, më 13 prill mori vendim për aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në vend punishte. 

Brenda 48 orëve të fundit në 14 vendpunishte janë ndaluar punimet me vendim të Inspektoratit Qendror të Punës.

Në rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të rënda në vendin e punës deri më tani janë shqiptuar dënime minimale. 

Bazuar në aktgjykime të publikuara në faqen e Këshillit Gjyqësor, për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, kryesisht janë shqiptuar gjoba. Dënimet të tilla janë dhënë, pavarësisht se Kodi Penal parasheh që në rastet me lëndim të rëndë trupor, dënimi të jetë në shkallën deri në 10 vjet burgim dhe nuk lë alternativë për gjobë. Vetëm me një nga aktgjykimet e analizuara nga KOHA është shqiptuar dënimi brenda minimumit që parasheh ligji.

Ditë më parë KOHA ka raportuar për dënime minimale në rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të rënda në vendin e punës. Bazuar në aktgjykime të publikuara në faqen e Këshillit Gjyqësor, kryesisht janë shqiptuar gjoba për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Dënimet e këtilla janë dhënë, pavarësisht se Kodi Penal parasheh që në rastet me lëndim të rëndë trupor, dënimi të jetë në shkallën deri në 10 vjet burgim dhe nuk lë alternativë për gjobë.

Vetëm me një nga aktgjykimet e analizuara nga KOHA është shqiptuar dënimi brenda minimumit që parasheh ligji. Aktgjykimi është firmosur nga gjyqtari i Prizrenit, Fatmir Krasniqi, dhe i referohet rastit të një të mituri që ka mbetur me pasoja të përjetshme shkaku i lëndimeve në një mishtore në Gjonaj.
Edhe ky aktgjykim nuk ka formën e prerë, meqë është në trajtim në Gjykatën e Apelit.

Po kjo gjykatë, e ka kthyer në rigjykim rastin për një punëtor të vdekur, pasi në shkallë të parë i janë shqiptuar 15 mijë euro gjobë KEDS-it, ndërsa është liruar koordinatori i mirëmbajtjes, i akuzuar në këtë rast.

Ndërkaq, në një tjetër rast, për vdekjen e punëtorit të kompanisë së ndërtimit “Fitorja”, shkaku i kontaktit me rrymën, dy të akuzuar u dënuan me nga 1.800 euro gjobë.

Kur punëtorët vdesin në vend pune shkaku që kompanitë nuk marrin masa mbrojtëse, ligji parasheh dënim deri në 12 vjet burgim. Në aktgjykimet e analizuara, asnjë dënim i këtillë nuk është shqiptuar.
Në Këshillin Gjyqësor kanë arsyetuar vendimet.

“Gjyqtarët ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur, duke vendosur në bazë të provave të administruara dhe ligjeve në fuqi. Sa i përket çështjes së politikës ndëshkimore dhe lartësisë së dënimeve për veprën penale ‘Asgjësim, dëmtim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës’, unifikimi dhe orientimi i praktikës gjyqësore është kompetencë e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila përmes buletineve, përmbledhjeve të praktikës gjyqësore dhe mendimeve juridike kontribuon në sigurimin e zbatimit të njëtrajtshëm të ligjit”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor.

Ministria e Punës ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm 15-ditor për t’i inspektuar vendpunishtet. Bazuar në të dhënat e publikuara të dielën, gjatë 48 orëve të fundit Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punën në 27 vendpunishte të ndërtimtarisë, e në më shumë se 100 sosh që nga fillimi i aksionit.

Ka të dhëna të ndryshme për numrin e të vdekurve në vend pune gjatë vitit të shkuar. Sipas Inspektoratit, 19 punëtorë kanë humbur jetën e sipas Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, ky numër është mbi 30.

Hamza: Edhe këtë 1 Maj po e presim me paga të ulëta e çmime të larta

1 muaj më parë / 1 maj 2026 14:33
Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se duhet më shumë angazhim për një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë të qytetarëve. 

Hamza ka thënë se Dita e Punëtorëve po e gjen Kosovën  me shumë sfida. Ai ka kritikuar qeverinë në detyrë për mosangazhim. 

“Edhe këtë 1 Maj po e presim me shumë sfida: paga të ulëta, çmime të larta dhe një qeveri që e ka harruar punëtorin. Shumë prej jush punoni çdo ditë, por mezi ia dilni. Pa kushte të mira pune, pa siguri, pa mbështetje. Shumë familje në vendin tonë luftojnë çdo ditë për një jetë më të mirë. Ky është realiteti ynë, të cilin duhet ta ndryshojmë së bashku”, ka deklaruar Hamza.

 

Kurti bën thirrje që paga e 13-të të ndahet edhe në sektorin privat: S’ka organizim sindikal

1 muaj më parë / 1 maj 2026 14:29
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë Albin Kurti me rastin e 1 Majit, ka vlerësuar si kryesore për të drejtat e punëtorëve në Kosovë, mungesën e organizmit sindikal në sektorin privat. Ai në këtë aspekt ka thënë se duhet të angazhohet shoqëria.

“Për të drejtat e punëtorëve në Republikën e Kosovës, mungesa kryesore është ajo e organizimit sindikal në sektorin privat. Këtu duhet të angazhohet e gjithë shoqëria jonë për një nivel të ri të statusit dhe gjendjes së punëtorëve te ne”, ka shkruar Kurti në një status në Facebook. 

Ai ka bërë thirrje që paga e 13-të të ndahet edhe në sektorin publik. 

“Vendosëm pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shteti njohu në mënyrë konkrete kontributin e vazhdueshëm të punonjësve të tij. I bëmë e vazhdojmë t’i bëjmë thirrje edhe sektorit privat të ndjekë këtë shembull, sepse kompensimi i drejtë dhe përkujdesja e shtuar për punëtorët nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik”, ka shkruar Kurti.

Ai ka vlerësuar se Qeveria për këtë 1 Maj Qeveria ka qenë në anën e punëtorëve, siç ka thënë, jo vetëm me fjalë, por me ligje të miratuara, buxhet të zbatuar dhe vendime konkrete.

“Standardi duhet të vazhdojë të rritet. Puna për ndërtimin e një shteti që i trajton punëtorët si themelin e gjithçkaje, vijon”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se sipas raporteve ndërkombëtare të sindikatave, të drejtat e punëtorëve janë goditur ndjeshëm në mbarë botën gjatë vitit 2025. 

“Në shumë vende, përfshirë edhe ato të zhvilluara, të drejtat e punëtorëve janë në rrezik. Punësimi afatshkurtër është në rritje, përfshirë këtu atë përmes platformave digjitale, që e reduktojnë punën në detyra të përditshme me paga të pasigurta dhe me masa disiplinore që vendosen pa transparencë dhe pa mbrojtje reale për punëtorët. Ndërkohë, automatizimi po zhduk kategori të tëra pune, pa ofruar gjithmonë mundësi rikualifikimi apo mbështetje për ata që preken. E, në të njëjtën kohë, pabarazia është rritur”, ka shkruar Kurti. 

Sipas tij ky është realiteti global ku nuk mund të bëjë përjashtim as Kosova. 

“Në këtë kontekst jetojnë dhe punojnë punëtorët tanë, dhe në këtë dritë duhen kuptuar edhe vendimet tona në qeveri. Kur ne morën detyrën, paga minimale në Kosovë ishte 170 euro. Nuk kishte ndryshuar për trembëdhjetë vite. Për një brez të tërë që hynte në tregun e punës, ky ishte minimumi ligjor për punën e tyre. Ne e ndryshuam këtë. Miratuam Ligjin për Pagën Minimale dhe e ngritëm atë në 425 euro, duke ndikuar drejtpërdrejt rreth 150.000 punëtorë, shumica në sektorin privat. Nga 1 korriku ajo rritet në 500 euro (pavarësisht asaj që ndodhi me Kuvendin)”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Haxhiu: Nderojmë punëtorët që e mbajnë Kosovën në këmbë

1 muaj më parë / 1 maj 2026 13:29
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se duhet t’u jepet vendi që u takon punëtorëve të Kosovës.

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve Haxhiu ka theksuar se nuk mjafton të shihet si punëtor vetëm vendi i punës, por se puna nis nga shtëpia. 

“Aty ku shumë gra e nisin ditën para se të zgjohen të gjithë dhe e mbyllin pasi të kenë fjetur të gjithë. Aty ku kujdesi për fëmijët, për të moshuarit, për të sëmurët, për ushqimin, për rrobat, për rendin e familjes, vazhdon të merret si detyrë e natyrshme. Por nuk është e natyrshme. Është angazhim, përkushtim, kohë dhe, mbi të gjitha, është punë që as paguhet e as njihet sa duhet”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shprehur falënderim dhe nderim për të gjithë punëtorët "që mbajnë familjen, shoqërinë dhe Kosovën në këmbë". 

“Atyre që dalin herët për ta fituar bukën me djersë, në kantier, në fabrikë, në arë, në zyrë, në dyqan, në rrugë a në mërgatë, por edhe atyre që e vazhdojnë punën brenda shtëpisë, shpesh pa pagë, pa orar dhe pa njohjen që meritojnë”, ka theksuar Haxhiu.
 


 

Policia arreston 4 protestues në protestën e 1 Majit në Prishtinë

1 muaj më parë / 1 maj 2026 13:08 Nga: Ardit Kika
arrestimi

Policia e Kosovës i ka arrestuar të paktën 4 protestues që morën pjesë në protestën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve të organizuar nga Blloku Anti-Kapitalist. 

Tensionimi me policinë nisi pasi tubimi paqësor u shpërnda dhe pasi policia i kërkoi disa protestuesve të identifikoheshin me letërnjoftime. 

Disa nga ta refuzuan të identifikoheshin me arsyetimin se po ushtrojnë të drejtë qytetare për tu tubuar.

Në të kaluarën kur Policia ka kërkuar identifikim të protestuesve, kjo është bërë kur tubimi nuk ka qenë i paralajmëruar zyrtarisht pranë stacionit policor.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Policia lidhur me rastin dhe nëse protesta ka qenë e paralajmëruar. 

Nga Policia nuk kanë treguar nëse ka pasur leje për këtë protestë, por zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana ka thënë se disa persona kanë refuzuar urdhrat e zyrtarëve policorë dhe janë shoqëruar në stacion për identifikim. dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet. 

Minatorët: Shteti të inspektojë “Trepçën” e ndërmarrjet e tjera shtetërore

1 muaj më parë / 1 maj 2026 13:38
Minatorë

Foto: Arkiv

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të “Trepçës” ka kërkuar nga ministri i Punës Andin Hoti që inspektimet që ka nisur në vendpunishte t’i vazhdojë edhe në ndërmarrjet shtetërore.

“Është mirë që po kontrollohen se shumë punëtorë po vdesin por inspektorët duhet të vijnë edhe në ndërmarrje publike, aty ku është dora e shtetit e ku përballemi me shkelje të të drejtave për çdo ditë”, ka thënë Januzi në emisionin”tre8tre” në KTV.

Ai ka folur për largimet nga puna të minatorëve që bëhen me direktiva nga udhëheqësit e “Trepçës” dhe që sipas tij janë të padrejta.

“Video e dy punëtorëve që kinse bëjnë check-in e largohen nga puna nuk është e vërtetë. Pas lajmërimit në punë ata kanë shkuar me veturë të tyre te vendi i punës që është 30 metra nën tokë. Këta minatorë mbi 40 vjet kanë punuar, kanë qenë krenaria e Kosovës e sot janë larguar si asgjë” ka thënë Januzi.

Hoti, më 13 prill mori vendim për aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në vendpunishte.

Inspektorati Qendror i Punës po vazhdon inspektimet në sektorët me rrezikshmëri të lartë në territorin e Kosovës. 

Në 48-orëshin e fundit Inspektorati ka realizuar aksione vetëm në sektorin e ndërtimtarisë. 
Sipas raportit, nga gjithsej 32 inspektime, në 14 vendpunishte janë ndaluar punimet dhe katër janë proceduar në Polici. Po ashtu, në 21 vende janë shqiptuar vërejtje.

“Jemi lodhë, Parlament, Qeveri, të kujt jeni?”: Protestojnë punëtorët e sektorit privat

1 muaj më parë / 1 maj 2026 10:35
protesta

Foto: EO

Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve ka mbajtur protestë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. 

“Mos na shkelni, mjaft pritëm”, “Për pesë vite në punë vdiqën 97 punëtorë”, “Jemi lodh, parlament-qeveri të kujt jeni?”, kanë qenë disa nga pankartat që kanë bartur protestuesit. 

Protesta me një numër simbolik të punëtorëve ka vazhduar deri në sheshin “Skënderbeu”. 

Kryetar i Federatës Sindikale të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se punëtorëve të sektorit privat po u bëhet e padrejtë sa i përket pagës së 13-të. 

“Sektori publik mori pagën e 13-të u gëzuam shumë sepse menduam që edhe ne do t’i marrim. Është një padrejtësi të cilën vetëm punëtorët e sektorit privat të Kosovës mund ta mbajnë mbi barrën e vet”, është shprehur Azemi. 

Ai ka shtuar se sa herë ka zgjedhje parlamentare në vend lëviz diçka. Sipas tij edhe paga minimale është rritur vetëm si veprim elektoral.

“Ne kemi dalë sot këtu për ta rrumbullakësuar një vit se deri ku kemi shkuar, po kemi lëvizur sepse kemi pasur një pagë minimale 260 euro dhe tani e  kemi 425 euro paramendojeni këtë, nuk e bëri vullneti i Qeverisë së Kosovës dhe i parlamentit të Kosovës, këtë e bën zgjedhjet të cilat sa herë që kemi zgjedhje tek ne lëviz diçka. Është e tmerrshme, është e rëndë që të dalësh para opinionit dhe tu thuash unë po luftoj për të drejtat e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, ka theksuar Azemi.

Aksion simbolik për 1 Maj: Punëtorët ndërtojnë shtetin që u përket kapitalistëve në publik e privat

1 muaj më parë / 1 maj 2026 10:01
kolektivi-1 maj

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me rastin e shënimit të 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, në shenjë proteste e kanë bllokuar rrugën të Katedralja, duke vlerësuar se klasa punëtore punon për ta ndërtuar një shtet, që sipas tyre, nuk u përket punëtorëve, por kapitalistëve në publik e privat.

“Punëtorja e punëtori sot përballet me jetë që po bëhet çdo herë e më e pajetueshme, duke kryer punë të shumëfishta, pa siguri sociale, me çmime të papërballueshme, shpërfillje shtetërore e shfrytëzim privato-publik”, thuhet në reagimin e Kolektivit. 

Sipas reagimit punëtorët jetojnë për të punuar për “shefat dhe pushtetin politik. 

“Gratë amvise që e kryejnë punën kyçe që e mundëson shfrytëzimin kapitalist mbesin të stërlodhura e pa të ardhura bazë, pensionistet/ët marrin lëmosha që as barnat nuk ua mbulojnë, punëtorët/et në sektorin privat keqpaguhen, keqtrajtohen e edhe vriten në vendin e punës, personat e etnive të racializuara keqtrajtohen e përjashtohen, gratë punëtore abuzohen seksualisht, shtypen shumëfish, personat queer shpesh përjashtohen komplet prej tregut, personat neurodivergjentë e me aftësi të kufizuara ose keqpërdoren, ose shndërrohen në kartë të marketingut korporativ që i shfrytëzon kapitali për fitim”, thuhet në reagim.

Krejt kjo, thuhet se po bëhet, falë partneritetit të shtetit me kapitalin “që bashkëfunksionojnë për të na shtypur dhe shpartalluar”.

Haradinaj kritikon Qeverinë në detyrë: Ka përkeqësuar kushtet e punëtorëve

1 muaj më parë / 1 maj 2026 09:45
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kritikuar Qeverinë në detyre për përkeqësim të kushteve të punëtorëve. 

Sipas tij, sot qytetarët përballen me paga të ulëta, kosto të lartë jetese dhe standard, që ai e ka vlerësuar se mbetet ndër më të ulëtit në rajon. 

“Qeveritë e përgjegjshme punojnë për të përmirësuar kushtet e punëtorëve, ndërsa qeveria në largim ka bërë të kundërtën”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook. 

Ai ka thënë se paga minimale është kthyer më shumë në formë asistence, ndërsa sipas tij, paga mesatare mezi mbulon nevojat bazike të një familjeje. 

“Në sektorin publik dhe privat, vështirësitë janë të njëjta dhe presioni ekonomik rritet çdo ditë”. ka shkruar Haradinaj me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Sipas Haradinajt sot, shumë punëtorë e kanë humbur shpresën. “Fuqia e re punëtore gjithnjë e më shumë sheh largimin nga vendi si mundësi të vetme për një jetë më të mirë”, ka shkruar Haradinaj.