Arbëri

Prokuroria Speciale mohon përfshirjen e Blerim Isufajt në shkarkimin e Besim Kelmendit

Blerim Isufaj (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Speciale ka thënë se janë të pasakta pretendimet për ndërhyrje të Kryeprokurorit Blerim Isufaj në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës. PSRK-ja përmes një komunikate ka thënë se ky institucion nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së.

Reagimi ka ardhur pas vendimit të KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, dhe më pas kontestimit nga gjysma e anëtarëve të KPK-së dhe shoqërisë civile të këtij vendimi me arsyetimin se nuk ka pasur kuorum në Këshillin Prokurorial që të merrej ky vendim. Anëtarët që u larguan nga mbledhja e KPK-së pa arritur te votimi, e kanë fajësuar kryeprokurorin Isufaj për puç institucional. 

“Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial. Kryeprokurori, z.Blerim Isufaj, mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.

Njëri prej këtyre anëtarëve, Visar Krasniqi, të enjten e ka lexuar një deklaratë të përbashkët ku Isufaj akuzohej për shkarkimin e Kelmendit me qëllimin që vetë ta marrë pozitën. 

“Largimi ka qenë i vetmi mekanizëm i mbështetur prej pesë anëtarëve për ta ndaluar një akt të paligjshëm. Propozimi për shkarkimin e z. Kelmendi bazohet në një logjikë të qartë të një puçi institucional, duke tentuar të vendoset përfundimisht mbi udhëheqjen e prokurorisë së shtetit në mënyrë të jashtëligjshme. Prapa të gjithë këtij organizimi qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj”, ka thënë Krasniqi.

Isufaj ka gati katër vjet që është propozuar nga KPK-ja për kryeprokuror të Shtetit, porse nuk është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani. Ky post është mbuluar me ushtrues detyre, e që nga KPK-ja i është dhënë Besim Kelmendit.