Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria nis hetimet pas dyshimit për helmim me ushqim të 70 qytetarëve

Klinika Infektive

Rreth 70 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të QKUK-së me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi, ndërsa 22 prej tyre janë hospitalizuar. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se lidhur më këtë rast ka nisur veprimet hetimore. Ekspertët e sëmundjeve infektive bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në ushqim, sidomos gjatë kohës me temperatura të larta

Ilirjana Thaqi 

Klinika Infektive në QKUK ka njoftuar se nga e premtja janë paraqitur dhjetëra pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.

Në njoftimin e klinikës thuhet se rreth 70 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa 22 prej tyre janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm.

“Pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore me ankesa si: ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diarre. Sipas anamnezës së marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit. Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), si dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN), në përputhje me procedurat në fuqi”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.

Lidhur me këto helmime kanë njoftuar edhe shumë qytetarë në rrjetet sociale. 

Edhe Për tri ditë, 70 persona kërkuan ndihmë në QKUK me simptoma të helmimit nga ushqimi Arbëri 12 o. më parë Për tri ditë, 70 persona kërkuan ndihmë në QKUK me simptoma të helmimit nga ushqimi

Një nga to është Laura Kryeziu, e cila ka thënë se djali i saj është helmuar pasi ka konsumuar ushqim në një restorant në Prishtinë. 

“Uroj që Inspektorati të marrë masa dhe të mos flejë, si shumë institucione të tjera në këtë shtet!”, ka shkruar ajo ndër të tjera në një postim në rrjetet sociale.

E Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me të pranuar informatën ka ndërmarr masa.

“Më 10.07.2026, Policia ka pranuar një informatë lidhur me dyshimin për helmim nga ushqimi të disa personave. Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore në koordinim me prokurorin e shtetit dhe institucionet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar informacione lidhur me helmimin e disa personave. Megjithatë, prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Për çdo zhvillim rreth kësaj çështjeje do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ekspertët e sëmundjeve infektive bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në ushqim sidomos gjatë periudhës me temperatura të larta.

Edhe Sa zgjat helmimi nga ushqimi dhe si shkaktohet Lifestyle 1 muaj më parë Sa zgjat helmimi nga ushqimi dhe si shkaktohet

“Më të rrezikuar nga pasojat e helmimeve janë fëmijët nën 5 vjeç, të moshuarit mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobësuar apo sëmundje kronike, pasi te këto kategori infeksionet mund të shkaktojnë komplikime më serioze. Gjatë verës, tregoni kujdes maksimal. Burimet më të shpeshta të helmimeve masive janë ushqimet që përmbajnë vezë të papërpunuara, akulloret e shkrira dhe të ngrira sërish, si dhe produktet e qumështit”, ka thënë infektologu Visar Gashi.

Gjatë vitit 2025, sipas një raporti të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, janë regjistruar 10 raste të helmimeve ushqimore, nga të cilat janë prekur gjithsej 141 persona dhe 65 prej tyre kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.