Arbëri

Projektligji për personat me aftësi të kufizuara ngel në sirtarët e Ministrisë së Financave

Projektligji i Ministrisë së Financave që parasheh të rregullojë trajtimin dhe vlerësimin e personave me aftësi të kufizuara nuk e ka marrë dritën e gjelbër për miratim as sivjet. Ani se drafti i tij është hartuar vitin e shkuar, ai nuk është përcjellë asnjëherë për miratim në Qeveri. E në këtë Ministri dhe në Qeveri nuk ofruan sqarime për arsyet e vonesës në miratimin e këtij dokumenti

Projektligji që do të rregullonte vlerësimin, njohjen e statusit, përfitimet dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuara ka mbetur në sirtarët e Ministrisë së Financave prej më se një viti.

Ai është hartuar vitin e shkuar, por nuk është përcjellë asnjëherë për miratim në Qeveri dhe pas shtyrjes për dy herë gjatë 2022-s, nuk është përfshirë në agjendën legjislative të këtij viti.

Në Forumin Kosovar për Aftësi të Kufizuar konsideruan se miratimi i këtij projektligji është jetik për zgjidhjen e telasheve të shumta të personave me aftësi të kufizuara.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv në këtë Forum, Bujar Kadriu, thotë se nuk ka informata se çfarë ka ndodhur me projektligjin.

“Në vitin 2022, deri më 31 korrik, komplet si draft ka përfunduar. Në vitin 2022 ka qenë i planifikuar në agjendën legjislative, por në vitin 2022 është hequr prej agjendës dhe pa dyshim që sot nuk e kemi asnjë informatë se çka po ndodh me atë draftligj, i cili është jashtëzakonisht jetik”, ka thënë Kadriu.

E Behxhet Binaku, drejtor në shoqatën “Handikos” në Drenas, thotë se legjislacioni aktual për personat paraplegjikë e tetraplegjikë është shoqëruar me disa problematika në njohjen e statusit për këtë grup të shoqërisë.

“Jemi në fazën që është në hartim drafti i ligjit të ri për njohjen e statusit të të drejtave për personat me aftësi të kufizuara. Ky draftligj ka shkuar në një stad gati përfundimtar, vetëm se në bazë të informacioneve të mia duhet të kalojë në qeveri dhe do të duhej të dilte në leximin e parë. Por ka disa komente prej organizatave të personave me aftësi të kufizuara dhe konsideroj se ky ligj tash duhet ta rregullojë situatën më mirë sa u përket vlerësimeve”, ka thënë Binaku.

Edmond Komoni, drejtor i Klinikës së Neurologjisë, e sheh të nevojshëm plotësimin e kornizës aktuale ligjore me qëllim që të shmanget mundësia për diskriminim të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

“Të bëhet një ligj për persona me aftësi të kufizuar, i cili do të jetë gjithëpërfshirës, ku do të futet për shembull një pacient i cili ka gjysmën e trupit të paralizuar. As ai nuk merr (ndihmë financiare v.j.), ai fatkeqësisht mund të ketë problem edhe me të folur, që është edhe më e rëndë, nuk mund të kërkojë as ndihmë, nuk e ka as gojën, nuk e ka as gjysmën e djathtë të trupit, e ka nevojë për një ndihmë, për një përcjellës, mirëpo nuk përfshihet fatkeqësisht në këtë ligj, i cili është krijuar në atë kohë sigurisht me qëllimin që të plotësohet ndërkohë”, ka thënë Komoni.

Në Forumin Kosovar për Aftësi të Kufizuar theksojnë nevojën për miratim sa më të shpejtë të projektligjit të ri për aftësi të kufizuara.

“Do të mund të zgjidhnin çështjen e personave me aftësi të kufizuar në nivel vendi, dhe t’u krijojnë atyre një jetë të dinjitetshme dhe një barazi e cila kish me kontribu në mirëqenien e këtyre kategorie shoqërore. Kjo është esenciale dhe Qeveria duhet ta ketë parasysh që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara nuk mund të trajtohen si të drejta në kuptimin bamirës, por duhet të trajtohen si të drejta të njeriut dhe si të tilla duhet të vlerësohen”, ka thënë drejtori Kadriu.

Lidhur me projektligjin për vlerësimin, njohjen e statusit, përfitimet dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuara, KOHA ka adresuar pyetje në Ministrinë e Financave dhe në Qeveri, porse nuk kanë ofruar përgjigje.