Procesi mësimor do të rifillojë nga e hëna në të gjitha shkollat e Prishtinës.
Sipas njoftimit të lëshuar nga komuna, është siguruar ambient i sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor.
“Pas ndërhyrjeve dhe menaxhimit të suksesshëm të situatës pas reshjeve të shumta, njoftojmë se nesër rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. Falë angazhimit të ekipeve në terren dhe masave të marra, është siguruar ambient i sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor”, thuhet në njoftim.
Edhe komuna e Obliqit ka njoftuar gjatë ditës se nga 12 janari do të rifillojë procesi shkollor në shkolla.
Ndërsa, komuna të tjera si Malisheva dhe Fushë-Kosova kanë njoftuar se për shkak të kushteve ende të papërshtatshme për të filluar mësimin, kanë shtyrë datën e kthimit në shkolla për dy dhe shtatë ditë.
Ministria e Arsimit ka marrë vendim për ta shtyrë deri më 12 janar fillimin e gjysmëvjetorit të dytë për shkak të vërshimeve që kanë prekur disa komuna.