Krahas humbjeve në rrjet dhe kyçjeve ilegale, në Kosovë kanë nisur të reduktohen edhe burimet e ujit. Meteorologët kanë konstatuar se për Prishtinën, qershori i sivjetmë ka qenë më i thati në histori. Ndërkaq, niveli i rrjedhave të lumenjve është nën mesatare
Rrjedhat e lumenjve në Kosovë sivjet janë më të ulëta se sa mesatarja, kanë treguar rezultatet e monitorimit nga Instituti Hidrometeorologjik.
Kjo situatë është pasojë e reshjeve të pamjaftueshme gjatë vitit.
“Aktualisht lumenjtë në Kosovë kanë rrjedha nën mesataret e tyre. Kjo si pasojë e deficitit të reshjeve sidomos gjatë muajve të pranverës dhe mungesës së borës dhe qëndrueshmërisë së saj gjatë dimrit... Situata e njëjtë është në shumicën e lumenjve, por më e rënduar në atë të Drinit të Bardhë”, kanë thënë në Institut.
Meteorologu Mendim Rugova ka thënë se Prishtina e ka përjetuar qershorin më të thatë përgjatë një shekulli.
“Temperaturat e larta, sidomos gjatë muajit qershor, kanë qenë si shkak i valëve të nxehtësisë që e kapën vendin, e përfshin në fillim, në fund dhe tani po pritet edhe gjatë ditëve të para të korrikut kjo valë e të nxehtit. Patjetër që duhet me përmend për muajin qershor që ka qenë tepër i thatë, në Prishtinë ndoshta në 100 vjetët e fundit nuk ka pasur qershor më të thatë, d.m.th. asnjë pikë shiu nuk është regjistruar së paku në Prishtinë”, ka thënë ai.
Edhe
IHMK-ja paraqet gjendjen e lumenjve pas reshjeve, tregon ku është situata më e rënduar
Rugova ka paralajmëruar se në të vitet në vijim Kosova do të përballet me burime më të pakta uji, shkaku i ndryshimeve klimatike.
“Sasia e borës janë më të ulëta kohëve të fundit. Për sivjet mirë ka qenë sidomos në viset malore ka pasur reshje të borës. Duke e pasur parasysh tash edhe për të ardhmen po flas, sipas projeksioneve klimatike të reshurat e borës do të jenë më të pakta mbi vendin tonë kështu që edhe resurset ujore do të jenë më të pakta”, është shprehur ai.
Kosova është një nga pikat e nxehta të globit për sa u përket ndryshimeve klimatike, ka treguar një raport i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, i cili ka trajtuar prezencën e misioneve të saj në zonat me rrezik të lartë për fatkeqësi natyrore.
“Ngrohja e përshpejtuar e atmosfera në rajon po çon në ekstrem ngjarjet natyrore, të tilla si zjarret e vitit 2017 dhe 2022, dhe përmbytjet e rënda që Kosova përjetoi në vitin 2023. Frekuenca dhe intensiteti i ngjarjeve të tilla pritet të rriten”, thuhet në raportin e NATO-s.
Në tetë vjetët e shkuar, Kosova ka humbur mbi 756 milionë metra kub ujë.
Edhe
Java e fundit e prillit me mot të paqëndrueshëm
KOHA i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Ekonomisë lidhur me masat e ndërmarra për të ndalur të tilla humbje, për investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe për të dhënat mbi lidhjet ilegale, porse përgjigjet kanë munguar.
E, sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave, veç vitin e shkuar janë humbur mbi 124 milionë metra kub ujë, 12.22 për qind më shumë se në vitin 2023. Ekspertët kanë theksuar se kjo është pasojë e rrjetit të dëmtuar dhe kyçjeve ilegale.