Arbëri

Prishja e një pajisjeje vështirëson operimet ortopedike në Gjilan

Vetëm operacione të hapura ortopedike kryhen në Spitalin e Gjilanit prej një muaji. Ndërhyrjet e mbyllura në kocka janë stopuar, pas prishjes së aparaturës që, në kohë reale, mjekëve u sjell imazhe radioskopike. Tani rastet që nuk mund të kryhen pa këtë pajisje referohen në QKUK

Në Spitalin e Gjilanit prej një muaji ndodhet jashtë funksionit pajisja mjekësore që përdoret në Ortopedi, për të siguruar pamje në kohë reale gjatë ndërhyrjes kirurgjike të mbyllur.

Shkaku i defektit në aparaturën C-ARM, një numër rastesh janë referuar në QKUK, ka thënë drejtori i këtij Spitali, Arsim Emini.

“Vetëm operacionet për të cilat është e domosdoshme pajisja C-ARM nuk kryhen dhe ato dërgohen për trajtim në QKUK, në mënyrë që të mos rrezikohet pacienti. Në Prishtinë pak raste kemi çuar, sepse nuk kemi pasur”, është shprehur Emini.

Drejtori Emini ka treguar se, në mungesë të pajisjes funksionale, tani kryhen vetëm ndërhyrje të hapura, gjatë të cilave shihet me sy të lirë kocka në të cilën kryhet operimi.

Jashtë planifikimit buxhetor është blerja e një pajisjeje të re që do të kushtonte rreth 70 mijë euro, apo servisimi që kushton diku rreth 25 mijë.

Në raportin që Shërbimi i Bioinxhinierisë i ka përgatitur Spitalit të Gjilanit nuk është rekomanduar servisimi.

“Mundësitë për servisim të C-ARM-it janë pak të realizueshme, sepse kjo pajisje është e vjetër dhe vështirë se mund të gjenden pjesët për ndërrim – servisim. Po ashtu, nga serviseri u informuam se po e njëjta pajisje mjekësore e të njëjtit vit të prodhimit ekziston në objektin e Forenzikës, e cila nuk përdoret”, thuhet në raportin e Shërbimit të Bioinxhinierisë në Spitalin e Gjilanit.

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) që menaxhon me QKUK-në dhe spitalet rajonale, nuk treguan nëse pajisja që ndodhet në Forenzikë do t’i jepet Spitalit të Gjilanit.

E, në spitalin e Gjilanit kanë shprehën pritjen se ajo t’u shkojë shumë shpejtë.