Përgjegjësitë e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë-Kosovë për objektin e ri në shkollën “Mihail Grameno” kanë filluar t’i kryejnë prindërit. Këshilli i Prindërve të shkollës është mobilizuar për t’i pajisur klasat me perde, pasi DKA-ja nuk iu përgjigj kërkesës së tyre për kompletimin e objektit të shkollës me materiale e për përfundimin e punëve të mbetura në gjysmë.
Për katërmbëdhjetë klasat e aneksit të ri të shkollës “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë prindërit janë mobilizuar për t’i pajisur me perde.
Për kompletimin e shkollës me materiale, Këshilli i Prindërve të shkollës iu drejtua me kërkesë Drejtorisë së Arsimit në janar të këtij viti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryetari i Këshillit të Prindërve të shkollës, Fatos Çeta, tha në një komunikim me KOHËN përmes telefonit se vendimin për mobilizim e morën pasi nuk pranuan përgjigje nga DKA-ja në përmbushjen e kërkesës.
Nxënësit kanë filluar mësimin në objektin e ri në shtator të vitit të kaluar.
Sipas zëvendësdrejtorit të shkollës, Sadri Emini, nuk është paraparë buxhet nga komuna për perde, ndonëse kanë qenë pjesë e projektit të finalizimit të shkollës.
“Meqenëse ky objekt ka filluar nga shtatori, janë në planifikim edhe perdet edhe mbrojtëset e mureve, mirëpo për shkak të buxhetit që nuk janë paraparë ka ardhur deri te kërkesa e prindërve, ku kryetari i këshillit të prindërve dhe anëtarët e tjerë kanë marrë vendim për rregullimin e prindërve në klasë”, tha Emini.
Prindërit kanë dërguar kërkesë në DKA edhe për instalimin e energjisë elektrike në bodrumin e shkollës, pajisjen e objektit me kamera të sigurisë, shtimin e stafit të mirëmbajtjes e rregullimin e oborrit për vendosjen e rrethojave e ndërtimin e sallës së sporteve.
“Oborri i shkollës ‘Mihail Grameno’, aneksi III, është i papërfunduar, ku si pasojë e kësaj nuk mund të hapet dera kryesore e shkollës për hyrjen e daljen e nxënësve dhe ata nuk mund ta shfrytëzojnë ambientin e jashtëm për aktivitete fizike apo lojëra”, thuhet në dokument.
Në lidhje me këto KOHA ka tentuar të marrë një përgjigje nga drejtori i Arsimit, Fatlum Berisha, por ai nuk ka qenë i qasshëm gjatë ditës së hënë.