Në Klinikën e Neonatologjisë prej dy javësh mungon medikamenti që trajton papjekurinë e mushkërive te foshnjat e lindura para kohe. Kjo terapi që nga viti 2009 është siguruar nga donacionet, ndonëse është pjesë e Listës Esenciale. Meqë sasitë janë harxhuar, nga fillimi i muajit ai është duke u siguruar nga vetë prindërit e foshnjave
Prej 14 vjetësh Klinika e Neonatologjisë siguron në formë donacioni një ilaç që është pjesë e Listës Esenciale.
Surfaktanti është një bar që trajton papjekurinë e mushkërive te foshnjat e lindura para kohe, e sasitë e dhuruara nga organizata “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” janë harxhuar prej dy javësh.
Në mungesë të këtij medikamenti në Klinikë, mjekët u kanë lëshuar prindërve të foshnjave vërtetim që u shërben për blerje të terapisë.
Që nga 1 qershori, familjarët kanë siguruar së paku katër ampula, çmimi i të cilave variron në treg nga 300 deri në 800 euro.
Drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Hajrije Ismajli, tregon se kontingjenti i fundit nga ana e donatorit është sjellë në fillim të muajit prill me gjithsej 70 ampula. Sipas saj, ndër vite, për një muaj planifikohen 20 ampula, porse për shkak se gjatë muajit prill dhe maj ka pasur numër të shtuar të lindjeve para kohe, në qershor kanë mbetur pa këtë ilaç.
Ajo thotë se tani është kërkuar nga institucionet që ta sigurojnë këtë ilaç.
“Së fundi në mënyrë që të kemi një plan mbështetës është bërë kërkesa emergjente, për çka ne kemi marrë përgjigje pozitive menjëherë nga institucionet tona vendore dhe është duke u punuar intensivisht për sigurimin e Surfaktantit”, ka thënë Ismajli.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se kërkesa është pranuar më 30 maj për sigurimin e rreth 240 ampulave për nevojat vjetore të Klinikës së Neonatologjisë.
Sekretari i përgjithshëm, Naim Bardiqi, tha se prej dy javësh Ministria ka iniciuar procedurën e prokurimit për ketë produkt, përmes marrëveshjes ndërkombëtare me UNICEF-in. Sipas tij, furnizimi nuk pritet të nisë tek pas pesë javësh.
“Jemi informuar nga UNICEF-i se deri në liferim nga inicimi i procedurës do të zgjasin diku 7 javë. Pas stabilizimit të furnizimit, SHSKUK-ja do të procedojë në të ardhmen sigurimin e këtij produkti. Deri tani MSH-ja dhe as SHSKUK-ja nuk e kanë prokuruar këtë produkt, meqenëse është ofruar falas nga donatorët. Me të siguruar informata nga SHSKUK-ja se tashmë duhet të furnizohemi nga mjetet tona, kemi marrë veprimet e duhura”, ka thënë Bardiqi.
Në organizatën “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” thanë se ilaçin jetëshpëtues për të porsalindurit në Kosovë e kanë siguruar përmes partneritetit me kompaninë “Americares”. Sipas organizatës, sigurimi i Surfaktantit varet nga sasia që e ofron kompania partnere dhe ndonjëherë në bazë të disponueshmerisë, por ka përmendur raste kur edhe mund të ketë devijime në sasitë që sigurohen.
Në fillim të vitit, KOHA ka raportuar për mungesë edhe të ampula Prostaglandin E1, medikament ky që u jepet foshnjave të porsalindura e që ndihmon qarkullimin e gjakut te problemet me zemër te neonatët. Sipas SHSKUK-së, arsyeja e mungesës është mungesa e ofertuesve në tenderim.