Dyshimet për praninë e toksinës helmuese cereulide në qumështin formulë për foshnja “Aptamil” kanë bërë që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ta urdhërojë tërheqjen nga tregu të të gjitha llojeve të këtij produkti. Avokati Ardian Bajraktari ka kërkuar nga prindërit e fëmijëve që e kanë konsumuar këtë qumësht dhe që kanë shfaqur probleme shëndetësore të kërkojnë dëmshpërblim nga prodhuesi
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për tërheqjen nga tregu të të gjitha llojeve të qumështit formulë për foshnja “Aptamil”, për shkak të dyshimit për praninë e toksinës Cereulide.
Ky vendim është marrë pas tërheqjes së mëhershme nga tregu të disa llojeve të këtij qumështi, i cili prodhohet nga kompania “Danone”.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në koordinim me operatorët ekonomikë, ka realizuar tërheqjen nga tregu të produktit të paralajmëruar. Ndërkohë, inspektorët e AUV-it janë në terren dhe po vazhdojnë me gjurmueshmërinë e plotë, me qëllim verifikimin nëse ka mbetur ndonjë njësi e produkteve të paralajmëruara si të papërdorshme”, është thënë në njoftimin e AUV-it.
Toksina Cereulide, e cila është identifikuar në produktet e tërhequra nga tregu, shkaktohet nga bakteri bacillus cereus që mund të zhvillohet kur ushqimi kontaminohet, nuk ruhet apo trajtohet në mënyrë të duhur.
Toksina mund të shkaktojë te foshnjat të vjella të shpeshta, temperaturë, diarre apo shenja dehidrimi.
Avokati Ardian Bajraktari ka theksuar se prindërit e fëmijëve që e kanë përdorur qumështin “Aptamil” dhe që kanë vënë re ndonjë shqetësim shëndetësor te fëmijët e tyre mund ta padisin prodhuesin “Danone”.
“Në bazë të vendimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë është bërë tërheqja e produkteve të qumështit ‘Aptamil’, që prodhohen në tri vende të Bashkimit Evropian: Gjermani, Irlandë dhe Holandë. Natyrisht, palët e pakënaqura, me një vendim të tillë, mund t’i drejtohen gjykatës. Përfshirë qytetarët, në rast se nga konsumimi u ka shkaktuar ndonjë problem të natyrës shëndetësore, atëherë u lind e drejta për të kërkuar kompensim nga ana e gjykatës”, ka theksuar avokati.
E drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, ka treguar për efektet anësore që mund t’i ketë ky qumësht te foshnjat e porsalindura.
“Prania e kësaj toksine, sipas hulumtimeve që kemi, lidhet me një bakter, Bacillus, i cili e liron këtë toksinë dhe ka aftësinë që ajo të qëndrojë në produkte ushqimore, dhe në qumësht, si dhe të rezistojë. Normalisht, efektet apo ndikimet që mund të ketë te fëmijët janë kryesisht gastrointestinale, si dhimbje barku apo vjellje, pra simptoma të kësaj natyre.... Në rast se bëhet fjalë për një substancë të tillë, çdo toksinë, apo mund të themi çdo substancë toksike, normalisht që mund të ndikojë në organizëm, duke shkaktuar efekte gastrointestinale”, ka theksuar ai.
Organizata e pavarur e konsumatorëve në Francë, së bashku me tetë familje, kanë dorëzuar më 29 janar një padi në Gjykatën e Parisit kundër prodhuesve të qumështit për fëmijë, përfshirë “Nestle”, “Danone” dhe “Lactis”. Ata kanë akuzuar prodhuesit se e kanë vonuar njoftimin dhe tërheqjen e produkteve që mund të përmbanin toksinën cereulide.
E në Kosovë, avokati Bajraktari ka theksuar se edhe AUV-i do të duhej që të vepronte sa më herët për tërheqjen e të gjitha llojeve të këtij produkti.
“Shpresoj që institucionet e Kosovës, në këtë rast Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, të mos jenë vonuar shumë, për faktin se, siç dihet, një vendim i tillë është marrë disa ditë më parë nga disa vende të Bashkimit Evropian. Prandaj, në raste të tilla u rekomandohet institucioneve të veprojnë më urgjentisht, në mënyrë që të eliminohen dhe shmangen pasojat eventuale në raport me shëndetin e qytetarëve”, ka theksuar Bajraktari.
Në AUV kanë thënë se masa e përcaktuar të enjten është e përkohshme.
“Vendimi për ndalimin e përkohshëm të importit është marrë si rezultat i njoftimeve të shpeshta nga sistemi RASFF, si dhe si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të popullatës në përgjithësi. Kjo masë është e përkohshme dhe do të mbetet në fuqi deri në konstatimin e plotë se cereulida nuk është e pranishme në përbërjen e këtyre produkteve”, kanë thënë në AUV.
Më 24 dhjetor u pati tërhequr nga tregu fillimisht produkti “Aptamil AR1”, pas dyshimeve se institucionet e sigurisë ushqimore të Bashkimit Evropian (BE) kanë ishin identifikuar në të praninë e bakterit Bacillus cereus. E më 26 janar është tërhequr edhe produkti “Aptamil AR 2”, tek i cili, sipas njoftimit të AUV-it, është identifikuar toksina cereulide, e prodhuar nga Bacillus cereus.