Jakup Gashi, pronar i laboratorit për kontroll të cilësisë së naftës “Sierra Lab”, ka folur se ka dyshime se qytetarët në Kosovë paguajnë për një litër naftë e marrin sasi më të vogël, nganjëherë 0.85 litra.
“Çdo kosto e paguan qytetari, nuk e paguan naftëtari. Më me rëndësi për qytetarin është me marr 1 litër naftë sa paguan, e jo 0.85 litra apo 0.9 litra. Ai është interesi. Ministria e Tregtisë duhet me tregu kujdes për qytetarin. Koston e paguan qytetari”, ka thënë Gashi në “Konfront” të KTV-së.
Gashi ka thënë se nuk e di nëse ka ndonjë pomë e derivateve që nuk është dënuar për cilësi të naftës.
Berjani: Pa panik – çmimi i naftës është stabil, shqetësues shtrenjtimi i produkteve të tjera
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se nuk duhet bërë panik te qytetarët për çmimin e naftës, pasi sipas tij, ai është stabil ndonëse është rritur.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Berjani ka thënë se më shqetësuese sesa rritja e çmimit të naftës është shtrenjtimi i produkteve të tjera.
Berjani ka vlerësuar se edhe me ndryshimet e fundit, nafta është akoma lirë.
“Për tre muaj kemi pasur çmime shumë stabile sepse edhe berza ka qenë stabile dhe nuk ka pasur luftë, ka pasur çmime përafërsisht nga 1.12 euro deri në 1.20 euro. Sot çmimet janë rritur për 5 centë, te qytetarët nuk duhet bërë panik sepse çmimet janë rritur vetëm për pesë centë. Ne duhet të flasim për produktet ushqimore dhe produktet bazë. Nëse na duket nafta shtrenjtë mund ta përdorim transportin publik. Nafta akoma është lirë. Nëse vazhdon kështu të rritet deri në 50 dollarë në ditë, do të kemi derivate me çmime më të larta”, ka thënë ai.
Gashi: Dogana doganoi naftë nga Irani, si është mundur kur ky shtet ka sanksione
Jakup Gashi, pronar i laboratorit për testim të cilësisë së naftës “Sierra Lab”, ka thënë se Dogana e Kosovës kishte doganuar edhe naftë nga Irani, ndonëse Irani ka embargo.
“Duke hulumtuar pash se Dogana paska doganuar një maune të Iranit. Irani ka pasur embargo. Qysh e doganoi Dogana atë import prej 31 mijë litra. Dyshoj se ka ardhur nga Irani përmes rrugës, pasi transporti do të kishte kosto më të madhe. Ka ardhur përmes detit, dikush i ka mësuar me i ndërruar letrat. Nuk ka hy si e Iranit, por ndoshta si e Omanit apo Katarit. Janë ndërruar letrat...Origjina po flasim këtu. Dogana e ka obligim me lyp origjinën. Edhe nafta ruse ka pasur embargo. Deri në vitin 2022 është futur naftë ruse në Kosovë nga naftëtarët”, ka thënë Gashi në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se me shpërthimin e luftës Izrael – Iran, çmimi për barele të naftës është rritur te 75 deri 80 dollarë, ndërsa kur kishte shpërthyer lufta në Ukrainë ishte rritur për 115 dollarë.
Gashi ka treguar se nëse mbyllet ngushtica e Hormuzit, atëherë çmimi mund të arrijë deri 120 dollarë.
“OPEC+ e ka planifikuar, para dy vjete e një viti, me rrit sasinë për aq sa e kanë llogaritur se prodhon Irani. Me shtu. Kanë kërkuar prej shtetëve anëtare të OPEC+ me shtu. Prej 1 qershori është lutur nga shtetet anëtare të shtojnë 411 mijë fuçi apo 2.2 milionë barele në ditë, sa ka eksportu Irani”, tha Gashi.
Ai ka thënë se duhet krijuar një rregullator në Kosovë edhe për naftën.
Aliu: Nëse lufta Izrael-Iran vazhdon, e do të vazhdojë, çmimi i naftës do të rritet
Ekonomisti Florin Aliu ka thënë se nëse do të vazhdojë lufta Izrael – Iran, atëherë çmimet e naftës do të vazhdojnë të rriten.
Ai ka thënë se një nga arsyet kryesore është kanali i Hormuzit, ku ka thënë se nëpërmjet tij kalon 30 për qind e transportit të naftës në të gjithë botën.
“Nëse kjo luftë vazhdon, e siç po shihet nuk është rendi me u ndal, atëherë do të rritet çmimi i naftës. Irani nuk është ndonjë prodhues i madh i naftës, është brenda OPEC-ut në vend të tretë apo të katërt, por është 3 për qind e prodhimit botëror. Por, kanali i Hormouzit është i rëndësishëm. Nëse ai kanal bllokohet, atëherë 30 për qind e transportit botëror që kalon nëpërmjet atij kanali bllokohen. Do të thotë se oferta bie e çmimet rriten”, tha Aliu në “Konfront” të KTV-së.
Prestreshi thotë se duhet të ulet TVSH-ja për naftën, Aliu nuk pajtohet
Valon Prestreshi, ish-kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, ka thënë se ulja e TVSH-së do të ishte zgjidhje që qytetarët të mos pësojnë, kur çmimi i saj të ngrihet. Sipas tij, kjo do të bënte që shteti të humbte dhe jo qytetarët. Megjithatë, eksperti Florin Aliu ka kundërshtuar këtë propozim duke thënë se një vendim i tillë nuk ndikon në ulje të çmimit, por rritje të fitimit për operatorët.
“Shteti duhet të ketë masa. Konsumatori në raste të tilla gjithmonë i bartë pasojat. Kemi shtet, duhet të marrë masa. Ka shumë propozime nga ekonomistë, që masa më e mirë, e cila do të ishte një në përputhje me ligje dhe Kushtetutën, do të ishte që shteti të dëmtohet financiarisht e jo qytetari. Për shembull, të veprojë me largimin e TVSH-së, ulje në masë të caktuar. Do të lehtësohej xhepi i qytetarit e shteti do të humbte, sepse tek e fundit qytetarët dhe bizneset e mbajnë shteti. Politika më adekuate që e kam dëgjuar ndonjëherë”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së në debatin për çmimet e naftës, që u ngritën menjëherë pas nisjes së luftimeve Iran-Izrael.
Megjithatë, Aliu ka thënë se nuk ka ekonomist botëror që propozon heqje të TVSH-së.
“Çmimet caktohen nga marketet e jo nga Qeveria. Nëse ia heq TVSH-në, ti nuk e ul çmimin, ai veç e rrit fitimin. Jam kundër këtyre politikave. Taksat nuk preken. Nëse s’ke mekanizëm qysh mi kontrollu çmimet kur ka marrëveshje të fshehta ndërmjet ooperatorëve ekonomikë...”, ka thënë ai.