Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani shpërndan Kuvendin: Këtu na sollën njerëz me qëllime të rrezikshme

Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja. Siç ka theksuar ajo, ky dështim nuk ishte "as rastësor as i pamenduar, por shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata përfaqësues nuk zgjodhën interesin e popullit”, ka theksuar ajo.  

Presidentja e ka quajtur papërgjegjësi që Kuvendi nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri, derisa ka thënë se situatën e sollën njerëz “me qëllime të rrezikshme”.

"Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme".

Sipas Osmanit, Kushtetuta e thotë qartë se afati për president ka përfunduar mesnatën e së enjtes. Ajo ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.

“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat politik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”.

Presidentja i ka adresuar edhe interpretimet se presidenti mund të zgjidhet brenda 60 ditëve pas nisjes së procedurës në Kuvend. Sipas saj, pasojat janë të qarta.

“Kushtetuta e parashikon qartë që një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij. Për më tepër nenet 82 dhe 86 duhen të lexohen së bashku. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen të ndërlidhura dhe jo të izoluara”.

Sipas saj, kjo do të thotë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.

“Procedura për zgjedhjen e presidentit edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, ka shtuar ajo.

“Deputetët kanë pasur në dispozicion 23 ditë për ta kryer këtë detyrë kushtetuese, ata vendosën të mos e bëjnë këtë. Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët, nuk e ndryshon Kushtetutën tonë dhe nuk e zhbën detyrën time që ta shpërndaj këtë Kuvend i cili dështoi”.

Osmani në konferencë ka folur edhe për amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli, të cilat i përcolli të enjten në Kuvend. 

Ajo ka thënë se miratimi i tyre nuk është lidhur me mandatin e saj derisa ka shtuar se ndryshimet do të mund të aplikoheshin vetëm për zgjedhjen e presidentit pas pesë vjetësh. 

“Këto amendamente nuk do kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do duhej të zgjidhej deri mbrëmë. Arsyeja është e thjeshtë vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të mandatit aktual. Do të thotë se edhe nëse do miratoheshin mbrëmë ato nuk do të ndryshoni  asgjë sa i përket zgjedhjes së pasardhësit tim”, është shprehur Osmani. 

Ajo ka thënë se të enjten në mesnatë është mbyllur përfundimisht çdo mundësi kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri. “Nuk është çështje interpretimi, është çështje afatesh kushtetuese dhe këto afate tashmë kanë kaluar”.

Osmani ka thënë se sot, 6 mars, do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve.

“Menjëherë sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve sepse e kemi obligim që të konsultohemi paraprakisht dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit që të shpallen edhe zgjedhjet e reja”.

Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes vonë, të mbajtur veç pak orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy të propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy raundet e para të votimit duhet të jenë në kuti 80 vota e në të tretin, të paktën 61. Në sallë, të enjten kanë qenë të pranishëm 66 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa kanë munguar ata të opozitës. Për mungesë kuorumi ka dështuar edhe seanca e mëparshme e thirrur për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese, të përcjella nga presidentja Vjosa Osmani për votimin e presidentit nga populli. 

E pas mbylljes së seancës së dytë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit