Arbëri

Policia me pak staf në veri, paralajmëron rritje graduale të numrit

Stacionet policore në veri të Kosovës po funksionojnë me numër të reduktuar të policëve, që nga vendimi i serbëve të veriut për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, e të cilit i janë bashkuar edhe policët. Në Drejtorinë Rajonale, sipas burimeve të KOHËS, kanë qëndruar 8 zyrtarë policorë, përderisa para dorëheqjeve kanë qenë deri në 60 në ndërresë. Si rrjedhojë e mungesës së stafit, në Policinë e Kosovës kanë thënë se do të bëjnë shtimin e numrit të zyrtarëve policorë. Teksa në misionin e BE-së për sundim të ligjit kanë konfirmuar se u është drejtuar kërkesë zyrtare për ta bërë patrullimin me policë të tij

Në stacionet policore ku para vendimit të së shtunës së kaluar për largim të serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës ishin nga dhjetëra zyrtarë policorë, tash ata numërohen në gishta. Në Drejtorinë Rajonale të Policisë - Veriu në ndërresën e paradites, sipas burimeve të KOHËS, kanë qëndruar 8 policë, të gjithë shqiptarë e boshnjakë. Tkurrja e stafit, sipas po këtyre burimeve, ka shtyrë policinë në këtë pjesë që t’u përgjigjet vetëm rasteve emergjente.

Në Policinë e Kosovës nuk kanë treguar për numrin e stafit aktual në veri të vendit, por kanë thënë se do të bëhet shtimi gradual i numrit të zyrtarëve policorë.

“Janë dhënë njoftimet se pas dorëheqjeve në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri, do të rriten gradualisht kapacitetet policore me zyrtarë të rendit publik, në numër të mjaftueshëm, duke u bazuar në nevojat dhe vlerësimet operacionale”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Pavarësisht se kanë thënë se do t’i rrisin në veri, Policia ka thënë se ka kapacitete të mjaftueshme për ta mbuluar veriun e vendit dhe se objektivat e saj nuk kanë ndryshuar.

“Gjithashtu është bërë e ditur se PK-ja ka kapacitete të mjaftueshme policore dhe se veprimet e tyre do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve në të gjitha rastet që paraqiten. Ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, mbikëqyrja dhe kontrolli kufitar, parandalimi i krimit, si dhe ofrimi i shërbimeve policore ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime mbetet qëllimi kryesor i PK-së”, shkruhet në përgjigjen e Policisë.

Në misionin e BE-së për sundim të ligjit, EULEX, kanë konfirmuar se u është drejtuar kërkesë zyrtare për ta vazhduar patrullimin vëzhgues në veri me policë të tij. Policia, sipas EULEX-it, kërkesën e saj e ka bërë lidhur me patrullimin e 23 karabinierëve italianë që i janë bashkuar misionit rishtazi.

“Si përgjigje ndaj nevojës së EULEX-it për forca shtesë në terren e për mbështetje më të madhe të homologëve të Kosovës, nëse kërkohet e nëse është e nevojshme, misioni ka dërguar një Njësi Rezervë Policore me 23 xhandarë, karabinierë italianë. Për më shumë, Policia e Kosovë ia ka dërguar një shkresë EULEX-it të dielën (v.j. 6 nëntor) lidhur me vazhdimin e patrullave vëzhguese dhe monitorimin e situatës në Kosovën veriore”, ka shkruar EULEX-i në përgjigj.

Në Polici nuk e kanë komentuar pohimin e misionit të BE-së për kërkesën për vazhdim të patrullimeve.

Policët nga Polonia, sipas EULEX-it, e kanë rritur angazhimin pas dorëzimit të dorëheqjeve të policëve serbë më 6 nëntor. Sidoqoftë, siç ka theksuar në përgjigje EULEX-i, është forcë dytësore reaguese dhe nuk ka përgjegjësi policore.

“Njësia Policore e EULEX-it, e përbërë prej 105 zyrtarëve policorë polakë, i ka shtuar patrullimet vëzhguese në veri të Kosovës, për ta përmirësuar gatishmërinë e misionit. Për më shumë, këshilltarët e lartë të Policisë në veri janë të vendosur në objektin e Drejtorisë Rajonale – Veriu dhe në katër stacione të tjera të shërbimit policor. Sidoqoftë, na duhet ta theksojmë se EULEX-i nuk ka marrë kurrfarë përgjegjësie policore në veri të Kosovës”, shkruhet në përgjigjen e EULEX-it.

Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, gjatë kësaj jave pati paralajmëruar në mediat serbe se me dorëheqjet e policëve, në veri mund të rritet rreziku nga forcimi i grupeve kriminale.

“Ka rrezik, pasi në veri të Kosovës, siç nuk na pëlqen ta themi e që vazhdimisht mundohemi ta fshehim, ndodhen bandat e armatosura që i ka sjellë zotëri (Milan) Radoiçiq, e se a është personalisht i përfshirë në to, këtë nuk e di”, ka thënë ajo në një intervistë për televizionin “Nova”.

EULEX-i ka thënë se Policia e Kosovës është duke i kryer dhe se është e vetmja që duhet t’i kryejë detyrat policore në veri.

Më 6 nëntor, qindra policë serbë, madje edhe disa të komunitetit boshnjak, kanë paraqitur letërdorëheqjet në stacionet policore në veri. Në to shkruhej “dorëhiqem për arsye personale dhe morale”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është zotuar për përkujdesje, përfshirë atë financiare, për të gjithë të dorëhequrit në veri. Si rezultat i kërkesës së Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian për ta shtyrë zbatimin e vendimit për targat, Qeveria e shtyu përsëri zbatimin më 28 tetor.

“Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor, do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë, sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka thënë kryeministri Albin Kurti duke e përshkruar masën.

Veturat e pjesëtarëve të komunitetit serb, duke përfshirë edhe policët, që i kanë riregjistruar targat ilegale në ato “RKS” janë djegur gjatë javëve të fundit nga persona të panjohur.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjës për to është Vuçiqi, i cili, siç ka thënë ai, synon ta marrë një pjesë të veriut në Serbi.