Nusret Pllana, anëtar i kryesisë së Institutit për krimet gjatë luftës në Kosovë, ka kërkuar ngritjen e një obelisku për fëmijët e vrarë gjatë luftës. Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ku u diskutua zyrtarizimi i numrit të fëmijëve që u vranë, Pllana ka thënë se numri i tyre dihet tashmë.
“Së pari, në Kosovë janë vrarë 1432 fëmijë që dihen deri tashti. Sepse, fjala vjen, janë shumë gra që janë vrarë kur ishin shtatzëna, edhe në muajin e tetë e të nëntë, që nuk është folur kurrë për fëmijë e tyre të vrarë në barkun e nënës shqiptare”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se 24 vjet pas luftës, askush nuk ka menduar që në formë përjetësie t’iu ngrihet një shenjë e kujtesës historike.
“Ata nuk janë vetëm numra, nuk janë vetëm 1432 fëmijë të vrarë. Janë 1432 familje të se ardhmes sonë. Janë 1432 familje më pak në Kosovën tonë, për lirinë e së cilës është derdhur aq shumë gjak. Së treti, ata 1432 fëmijë nuk janë të zhdukur, siç thuhet herë pas here, edhe në Akademi përkujtimore, edhe në raste të takimeve me familjet e Dëshmorëve te Kombit. Ata janë 1432 fëmijë të vrarë, sepse fëmijë të zhdukur është diçka tjetër, si dukuri, por edhe si argument për të cilin nuk kemi mundur të gjejmë të dhëna të verifikueshme”.
Pllana ka kërkuar nga deputetët që ngrihet kompleksi memorial dhe të përfundojë deri më 20 nëntor kur shënohet Dita Botërore për të drejtat e fëmijëve.
“Kërkesa ime, andaj edhe kërkesa e familjeve të këtyre 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga gjenocidi serb është që të përjetësohen në Kompleksin Memorial në forme obelisku, në mënyrë që të kemi ku të vëmë një buqete me lule në kujtim të fëmijërisë së tyre, të kenë ku të çmallen familjarët e tyre. Dikush nga ju mund ta dije, dikush nga ju ka mundur të këtë dëgjuar, sepse këto përpjekje i kemi bërë me vite, se afër Aeroportit ndërkombëtar "Adem Jashari", të Prishtinës, është caktuar vendi prej një hektarësh (dhuratë nga Komuna e Lipjanit) është vënë maskota e një OBELISKU që t'i bënte respekt kujtimit te 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës”.