(E përditësuar 17:11) -Gjykata në Lipjan ka caktuar masën e paraburgimit për pesë policët e përfshirë në rastin e 24-vjeçarit, Agon Zejnullahu, i cili vdiq pas arrestimit.
Të njëjtit po hetohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke caktuar masën e paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve E.B., L.RR., A.K., A.R. dhe I.N., në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Vrasje nga pakujdesia”, thuhet në njoftim të Gjykatës. “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë fazë të procedurës, dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale. Të pandehurit E.B., L.RR., A.K., A.R. dhe I.N. dyshohen se me datë 07.07.2025, rreth orës 00:10, në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan duke vepruar në bashkëkryerje nga pakujdesia kanë privuar nga jeta, tani të ndjerin A.Z.”.
Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak pas arrestimit nga Policia e Kosovës, me dyshimin se po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugët e Lipjanit. Në një prononcim në KTV, vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu, ka thënë se ai ka humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit.
Përfundon seanca dëgjimore ndaj pesë policëve
(E përditësuar 15:00) - Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj pesë policëve të përfshirë në rastin e 27-vjeçarit në Lipjan. Avokati i njërit prej policëve, Besnik Berisha, ka thënë se i vetmi argument për caktimin e paraburgimit është acarimi i raporteve mes të dyshuarve dhe familjarëve të Agon Zejnullahut.
“Sot u kërkua masa e paraburgimit vetëm për një arsye, sepse raportet janë të acaruara mes palës së dëmtuar dhe zyrtarëve policorë të arrestuar. Kjo në vetvete nuk përbën shkak ligjor. Kjo në fakt është alarm për sigurinë në vendin tonë sepse po i bie që kushdo që ka telashe me drejtësinë ose është në pritje të drejtësisë dhe kushdo që policia për një arsye ose tjetër i ka shkaktuar një të keqe pa u konstatuar nga gjykata duhet të qohet në paraburgim”, ka thënë ai para mediave. “Për një rast që natyrisht e ka tronditur secilin, por për një rast që unë besoj fuqishëm që as nuk i kanë kontribuuar e as nuk e kanë shkaktuar zyrtarët policorë. Policia sot po etiketohet, po sulmohet e besoj unë, padrejtësisht edhe po linçohet, përderisa mjekësia nuk ka folur edhe më tutje dhe nuk dihet as shkaku i vdekjes, as kontributi në shkakun e vdekjes e aq më pak nuk dihet se kush ishin substancat të cilat ishin në organizmin e tani të ndjerit”.
Gjykata ende nuk ka njoftuar për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Arrijnë në gjykatë pesë policët e përfshirë në rastin 27-vjeçarit në Lipjan
(E përditësuar 10:00) - Kanë arritur në Gjykatë pesë policët e arrestuar të cilët janë të përfshirë në rastin e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.
Avokati i familjes Zejnullahu, Asdren Hoxha, ka thënë se nuk i kanë lejuar të marrin pjesë në seancë, si palë e dëmtuar.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake më refuzoi me marrë pjesë në seancë dhe me mbetë i informuar si përfaqësues i palës së dëmtuar. Unë kërkova sqarime dhe insistova, por qasja ke e tillë që nuk duhet me marrë pjesë. Kodi i procedurës penale nuk e parasheh shprehimisht prezencën e palës së dëmtuar në caktimin e masës së sigurisë, por ka qenë e drejtë që me pas një qasje dinjitoze pala e dëmtuar”, ka thënë ai.
Seanca dëgjimore po mbahet në degën e Gjykatës në Lipjan, aty ku janë mbledhur një numër i madh mediash.
Policia ka bllokuar rrugën “Hamzë Jashari” për qarkullimin e veturave.
Nga ora 10:30 është paralajmëruar fillimi i seancës dëgjimore për pesë policët që dyshohen për “Vrasje nga pakujdesia”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se masa e sigurisë e kërkuar për pesë zyrtarët policorë është paraburgim prej 30 ditësh.
VIDEO:
VIDEO:
VIDEO:
Pesë policët e përfshirë në rastin 27-vjeçarit në Lipjan sot dalin para gjykatës
Sot do të mbahet seanca dëgjimore ndaj pesë policëve të dyshuar në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.
Seanca dëgjimore mbahet në degën e Gjykatës në Lipjan.
Pesë policët janë ndaluar për 48 orë për veprën “vrasje nga pakujdesia”.
Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak pas arrestimit nga Policia e Kosovës, me dyshimin se po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugët e Lipjanit. Në një prononcim në KTV, vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu, ka thënë se ai ka humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit.