Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Përplasje” Kurti-Osmani nëpërmjet këshilltarëve

Vjosa Osmani - Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Përderisa presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti nuk kanë përdorur emrin e njëri-tjetrit në kritikat gjatë ditës së premte, gjuhë më të ashpër ka pasur nga këshilltarët e tyre.

Të premten, presidentja shpërndau Kuvendin me arsyetimin se ka kaluar afati për zgjedhjen e presidentit të ri. Qeveria dhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kritikuan dekretin. Partia e Kurtit paralajmëroi se do ta çojë dekretin në Gjykatën Kushtetuese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo çështje solli reagime të shumta nga akterë të ndryshëm në rrjete sociale.

Jeton Zulfaj, këshilltar i Kurtit, nëpërmjet një reagimi në Facebook akuzoi Osmanin për verbërim për pushtet. Zulfaj nuk e pranoi si të vërtetë deklaratën e Osmanit se “nuk e ka bërë për vete” dërgimin në Kuvend të amendamenteve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit me votë direkt nga populli.

“Mbrëmë, disa orë para fillimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, Presidentja Vjosa Osmani i dërgoi Kryetares së Kuvendit amendamente për ndryshimin e Kushtetutës. Presidentja Vjosa Osmani i ka plot pesë vjet që është zgjedhur presidente dhe, nëse do të shtyhej nga vullneti i mirë për republikën, këtë veprim mund ta bënte shumë më herët, në mënyrë që sot të ishim në kohë për zgjedhjen e presidentit nga populli. Pse nuk e bëri këtë me kohë? Sot në konferencë paska thënë që “nuk e kam bërë për vete”. Po pse atëherë në ditët e fundit? Nëse veprimi i saj nuk ka qenë për të gjetur një zgjidhje për veten e saj në këtë kohë, por për një president të ardhshëm për vitin 2031, atëherë ky duket veprim i kotë, sepse këto procese mund t’i niste presidenti i ardhshëm qysh në fillim të mandatit të tij apo të saj. Por e vërteta është tjetër. E vërteta është se zelli për pushtet si duket është aq i madh sa edhe vërbues dhe nuk lejon të shohësh pjesën ku amendamentet hyjnë në fuqi vetëm pas gjashtë muajsh”, ka shkruar ai.

“I njëjti zell dhe vërbim e shtyri sot të bëjë gabimin e radhës, duke i veshur vetes një pushtet që nuk i takon. Pas pesë vitesh që Vetëvendosje i dha rastin të shërbejë në pozitën më të lartë të shtetit, në vend që ta përfundojë mandatin me dinjitet, ajo si akt të fundit zgjodhi shkeljen e Kushtetutës dhe sulmin ndaj subjektit që e bëri presidente. Trashëgimi e pandershme”, ka shkruar më tej Zulfaj.

Ndërkaq shefja e stafit të Osmanit, Learta Hollaj, pa përmendur ndonjë emër, akuzat për “verbërim pushteti” i cilësoi si mungesë tolerance për njerëzit që mund të interpretojnë ndryshe Kushtetutën.

“Presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon. Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë. Ta akuzosh atë për verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e lloj-lloj fyerjesh që është turp t’i përmendim këtu, tregon se nuk keni as tolerancë minimale për njerëzit që thjesht mund të kenë interpretim ndryshe të Kushtetutës nga ai i juaji. Presidentja vetë ka thënë se e mirëpret dërgimin e këtij dekreti në Gjykatën Kushtetuese dhe se çfarëdo vendimi do ta respektojë. Në një republikë, zelli për Kushtetutën është detyrë, jo ambicie”, ka shkruar ajo po ashtu në Facebook.

Në konferencën e mëngjesit, kur njoftoi për shpërndarjen e Kuvendit Osmani tha se fajtorë janë “njerëz të papërgjegjshëm me qëllim të rrezikshme”. Kjo u interpretua si deklaratë për Kurtin, ndërsa Kurti në konferencën e pasdites pyeti gazetarët se “përse po mendoni se është fjala për mua”.

Lexo përditësimet tjera
Vjosa Osmani - Arberie Nagavci Adnan Rrustemi

Osmani dekreton shpërndarjen e Kuvendit, VV-ja e çon në Kushtetuese