Puna e Kuvendit Komunal në Lipjan gjatë së hënës ka vazhduar me një varg kritikash ndërmjet pozitës e opozitës.
Debati u tensionua në pikën për nisjen e procedurave për përmirësimin dhe harmonizimin e hartave zonale, megjithëse ky dokument ishte miratuar pak kohë më parë.
Nga 45 kërkesa për ndërtime, 27 prej tyre janë refuzuar shkaku i mosplanifikimit të vijës së ndërtimit.
Sipas opozitës, kjo po ndodh për shkak të interesave personale të individëve.
“Më 3 qershor është miratuar në Kuvend, më 3 korrik ka hyrë në fuqi dhe tash pas 7 muajve për çështje teknike po kthehet në piken zero, ky dëm ju ka shkaktuar ndërtuesve investitorëve dhe qytetarëve që nuk kanë mundur të marrin leje ndërtimore dhe kjo është një hallk zingjirore e cila e ka pasivizuar e gjithë ndërtimin, kështu që ne i kemi dhënë shqetësimet tona dhe normal që dikush duhet të jep përgjegjësi për këtë”, tha Arsim Jashari, shef i grupit të kuvendarëve të PDK-së, në Lipjan.
“Prurja e dokumentit të hartave zonale pas miratimit të tij në kuvend dëshmon atë që e kemi thënë për mungesë të profesionalizimit dhe të personave që i kanë hartuar këto harta dhe vërejtjet tjera që ne i kemi ngritur në atë kohë. Pruerja tash pas 7 muajve e ngjall dyshimin se kjo mund të bëhet për plotësimin e interesave të bizneseve që mund të jenë të lidhura me pushtetin”, tha Alban Salihu, asamblist nga Vetëvendosja.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se ekzekutivi nuk ka asgjë personale në këtë çështje, andaj ka kërkuar bashkëpunimin e asamblistëve me arsyetimin se gjatë miratimit të dokumentit nuk kanë dhënë asnjë kontribut.
“Tash po flasim që të kemi një përputhje në mes të koeficientit, shfrytëzueshmërisë, ballinës dhe largësisë nga rruga. Dhe kjo mospërputhje ka ndodhur, të jemi real në ditën e fundit kur është aprovuar që unë nuk e kam ditur e as sot nuk e di se sa duhet të jetë sepse nuk jam ekspert i kësaj fushe. Prandaj ideja është që ne të hyjmë plotësimin e legjislaturës sekondare të dorës së dytë që kuvendet duhet të aprovojnë”, tha Ahmeti.
Në fund me shumicë të votave është miratuar nisja për përmirësimin dhe harmonizimin e hartave zonale.