Gjendja e rëndë pas përmbytjeve ka bërë që fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të procesit mësimor të shtyhet në tri komuna dhe në disa shkolla të komunave të tjera.
Komuna e Malishevës dhe ajo e Drenasit kanë njoftuar se kanë marrë vendim për shtyrje të procesit mësimor edhe të pakën dy ditë, e ajo e Fushë-Kosovës për një javë.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në një lidhje direkte për emisionin “Sot” në KTV të hënën ka treguar se me përjashtim në tri komuna, procesi mësimor ka nisur të hënën.
Ka treguar se mësimi nuk ka nisur në Drenas, Malishevë e Fushë-Kosovë. Ndërsa ka thënë se edhe në disa shkolla në komuna tjera nuk ka nisur të hënën mësimi shkaku i mungesës së ngrohjes. Ajo ka thënë se të gjitha orët e humbura do të zëvendësohen.
“Në përgjithësi mësimi ka filluar në të gjitha komunat në arsimin parauniversitar...Mësimi nuk ka filluar në Drenas, Fushë-Kosovë dhe Malishevë. Në këto tri komuna po shtyhet mësimi. Në Drenas dhe Malishevë fillon më 14 janar, pas dy ditësh, kjo kryesisht për shkak të problemeve me infrastrukturën rrugore shkaku i vërshimeve dhe ngricave, e mungesës së ujit të pijes. E në Fushë-Kosovë mësimi do të fillojë më 19 janar, aty mësimi është shtyrë për shkak të mungesës së furnizimit të shkollave me ngrohje qendrore. Në komunat tjera në bazë të raportimit që kemi pasur mbrëmë e sot mëngjes, kryesisht ka filluar mësimi. Janë disa shkolla në fshatra ku është shtyrë mësimi për një apo dy ditë”, tha Nagavci.
Ajo ka përmendur shtyrje të mësimit në një shkollë në Ferizaj, në dy shkolla në Prizren, një në Vushtrri në një fshat dhe një në Mitrovicë, të gjitha shkaku i ngrohjes.
“Orët e humbura natyrisht do të zëvendësohen për të mos pasur ngecje në realizimin e planprogramit”, ka thënë Nagavci.
Në arsyetimin e Drejtorisë së Arsimit të Malishevës të dielën për shtyrje të mësimit thuhet se vendimi është marrë për shkak të përmbytjeve, të cilat kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë.
“Duke u bazuar në reshjet e fundit gjatë vikendit, të cilat e kanë rënduar situatën në terren përgjatë gjithë komunës sonë dhe kanë dëmtuar shumë rrugë dhe infrastrukturën rrugore, ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 do të bëhet më 14 janar 2026”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.
E Komuna e Fushë-Kosovës, në arsyetimin për shtyrje, ka thënë se ka vështirësi në qarkullim dhe problem me ngrohje në shkolla.
“Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shtyhet deri më datën 19.01.2026. DKA ka vlerësuar se nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit arsimor. Ky vendim është marrë në funksion të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor”, thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë-Kosovës.
E fillimi i procesit mësimor është shtyrë edhe në Drenas, deri të mërkurën.
“Për shkak të rrethanave të krijuara nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit, kam marrë vendim të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor e shkollor në komunën e Drenasit, deri të mërkurën, më 14.1.2026”, ka njoftuar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në Facebook.
Në Lipjan, komunë e goditur këtë fundjavë nga vala e dytë e vërshimeve, në shkollën “Ismail Luma”, po ashtu nuk do të nisë mësimi nga e hëna, pasi objekti është përmbytur.
Drejtori i kësaj shkolle fillore dhe të mesme të ulët, Driton Sadiku, ka thënë se po shqyrtohet mundësia që deri në përmirësimin e kushteve, nxënësit të bartën në atë “Vëllezërit Frashëri”, që gjithashtu ndodhet në qytet.
“Nuk do të filloj në shkollën ‘Ismail Luma’ për shkak të vërshimit dhe depërtimit të ujit nga lumi Sitnica. Për momentin jemi në konsultë me drejtorinë komunale të arsimit dhe shkollën tjetër të qytetit në mënyrë që nxënësit tanë të fillojnë procesin në atë shkollë”, ka thënë Sadiku.
Në Prishtinë procesi mësimor ka filluar sot.
“Pas ndërhyrjeve dhe menaxhimit të suksesshëm të situatës pas reshjeve të shumta, njoftojmë se nesër rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. Falë angazhimit të ekipeve në terren dhe masave të marra, është siguruar ambient i sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor. Urojmë nxënësve një rikthim të mbarë në shkollë”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës të dielën.
Gjysmëvjetori i dytë i mësimit ishte planifikuar të fillonte më 8 janar. Por, pas vërshimeve të javës së kaluar, Ministria e Arsimit e shtyu nisjen për 12 janar.