Reshjet e ditëve të fundit shkaktuan përmbytje edhe në kryeqytet dhe fshatra përreth. Banorët tregojnë për dëme të mëdha, kryesisht në kulturat bujqësore. Gjatë ditës janë përmbytur edhe rrugë nacionale, duke shkaktuar kolona në trafik. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vizitoi disa nga zonat e prekura nga vërshimet. Ai u premtoi banorëve finalizimin e një numri projektesh me synimin që në të ardhmen të evitohen përmbytjet.
E gjithë sipërfaqja e mbjellë me grurë, misër e kultura të tjera bujqësore të fermerit Naser Brestovci nga Barileva e Prishtinës është përmbytur në ujë, si pasojë e vërshimeve.
Ai ka thënë se ky problem nuk ndodh për herë të parë dhe se pa u rregulluar shtrati i lumit Llap, nuk ka më siguri të punojë tokën.
“Kemi të mbjella grurë, patate, kemi fasule, misër. Të gjitha domethënë çka kanë qenë të mbjella, janë të përmbytura me vërshime, me të reshura të shiut do të thotë., ende qëndrojnë të mbuluara me ujë. Problemi qëndron ende”, ka thënë ai.
Përveç në Barilevë, dhjetëra sipërfaqe të tokës qëndrojnë të mbuluara me ujë edhe në Vranidoll.
Rrjedhja e madhe e ujit shkaktoi vështirësi edhe në qarkullim, duke bërë të pakalueshme një pjesë të rrugës.
E lagështia e këtij muri tregon nivelin e ujit të grumbulluar si pasojë e reshjeve të mëdha të ditëve të fundit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar disa nga zonat e përmbytura dhe tha se ende nuk dihet kostoja përfundimtare e dëmeve. Ai u ka premtuar banorëve finalizimin e projektit të urave dhe rregullimin e shtratit të lumit, si zgjidhje afatgjate.
“Pra përveç që ne ju ndihmojmë, ndoshta këto ndihma tona nuk janë të bollshme po për t’iu mundësuar edhe sigurimin, pra që kushdo që mbjell më pas edhe një sigurim shtesë për t’i mbuluar problemet që munden të ndodhin në të ardhmen. Por po them që paralelisht edhe masterplanin e gjithë zgjidhjes së lumit Llap në territorin e kryeqytetit”, ka thënë Rama.
E drejtori për Siguri dhe Emergjencë, Lulzim Fushtica, ka thënë se banorët do të rimburësohen brenda mundësive buxhetore të kryeqytetit.
“Munden prej të hënës të vijnë dhe të paraqesin kërkesë dhe ekipet tona do të dalin dhe do të bëjnë vlerësimin e dëmeve, ekziston komisioni që është aktiv për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara”, është shprehur ai.
Ndërkaq, Malë Gashi, nga brigada e zjarrfikësve ka treguar për numrin e rasteve kur është dashur të intervenohet.
“Në qytet brenda 48 orëve i kemi pasur 22 intervenime të tilla, që i quajmë intervenime teknike për shkak të ujit, por këto shumë pak janë që i kanë atakuar shtëpitë, më shumë kemi pasur tërheqje të veturave të cilat kanë mbetur në ujëra të zhytura nën ura”, ka bërë të ditur ai.
Janë përmbytur edhe zona të caktuara brenda kryeqytetit, ndërsa një pjesë e rrugës Lipjan-Prishtinë gjatë ditës ka qenë vështirë e kalueshme dhe ka krijuar kolona.
Nga përmbytjet e ditëve të fundit, më së shumti janë prekur Podujeva e Vushtrria, ku edhe është shpallur gjendje emergjente.