Arbëri

Përmbytje në disa fshatra të Shtimes, banorët kritikojnë Komunën se nuk qe e përgatitur për situatën

Reshjet e dendura të shiut që nisën që nga orët e para të mëngjesit të së hënës shkaktuan vërshime në pjesë të qytetit të Shtimes dhe në disa fshatra të komunës. Për këtë situatë, kryetari Qemajl Aliu shpalli gjendje emergjence. E teksa gjatë ditës situata është stabilizuar, me pasojat e përmbytjeve po vazhdojnë të përballen banorët, të cilët e kritikuan komunën se nuk ka qenë e përgatitur për situatën

Përmbytjet që ia kapluan oborrin e shtëpisë, banori i fshatit Vojnoc i Shtimes, Florim Mehmeti, e quan vërshim që nuk e mban mend të ketë ndodhur ndonjëherë më parë.

Ndonëse thotë që banorë të kësaj pjese përballen shpesh me vërshime shkaku i afërsisë me lumin Shtimjanjë, kësaj radhe Mehmeti theksoi se arriti të shpëtojë pa dëme të mëdha vetëm ngase bashkë me familjarë punoi gjatë gjithë natës për ta shmangur depërtimin e ujit brenda shtëpisë.

“Dëme nuk na kanë bërë, sepse kemi nejt tërë natën zgjuar, i kemi mbrojtë pajisjet e amvisërisë. Edhe në garazh kemi pasur pajisje, i kemi larguar, pasi kemi qëndruar krejt natën zgjuar. Ka hy edhe brenda e kam një podrum po i kema nejt gati i kemi largu pajisjet e kështu uji është hala aty”, tha banori Florim Mehmeti.

Dëme pësoi kushëriri i tij Bejtullah Mehmeti në shtëpinë e të cilit depërtoi në brendi të garazhit uji që e ka përmbytur oborrin.

“Dëmet janë shkaktu kogja. Shumë gjëra të amvisërisë, frigoriferë, lavatriçe janë të dëmtume. Na nuk kemi dalë me kërku kompensime se jemi mësu që nuk ka kompensime. Nuk është hera e parë që na merr neve uji, sepse e kem lumin këtu. Ani pse lumi është t’u u ndreq, zgjidhje nuk na kanë bo tash e 20 vjet”, tha ai.

Mehmeti e kritikoi Komunën e Shtimes për neglizhencë dhe për mungesë të përgatitjes për situata të tilla.

“Ne e kemi kërku një bager me hap një digë këtu. Njëherë thanë e sjellin, s’e sjellin.. s’na i hapshin telefonat, megjithatë janë kanë orët e vona. Ata e kanë ditë qe tre ditë, na si qytetarë që e kemi ditë që tre ditë, po institucionet? Nuk janë të përgatitun aspak për këta sene. Këta ndonjëherë vijnë shpejt por së paku me qenë të përgatitun jo me ardhë në puma. Nuk dua me ngarku kërkon apo me akuzu po kjo është neglizhencë”, theksoi ai.

Uji i lumit të dalë nga shtrati e përmbyti edhe oborrin e shkollës “Lasgush Poradeci”, duke bërë që nxënësit e ndërresës së paradites të mos e zhvillojnë mësim.

“DKA ka dalë në terren dhe duke parë që në oborrin e shkollës ka ujë të shumtë, është marrë vendim së bashku që procesi mësimor për ndërrimin e paradites mos të mbahet kurse për ndërrimin e pasdites të shikohet gjendja si po shkon. Kemi arritur me punëtorët teknikë me pastru këtë gjendje dhe dalëngadalë niveli i ujit ka rënë dhe është gjendja më mirë”, tha drejtori i shkollës Adil Qorroli.

Për situatën e krijuar nga të reshurat e së martës, komuna e Shtimes pati shpallur gjendje emergjence. E të mërkurën, situata u vlerësua si nën kontroll.

“Gjatë ditës së sotme, sipas akterëve të Shtabit emergjent, situata paraqitet më e qetë dhe nën kontroll, por apelohet që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe t’i ndjekin njoftimet nga burimet zyrtare”, thuhet në njoftim.

Krahas qytetit të Shtimes dhe fshatit Vojnoc, me vërshime u përballën edhe fshatrat Gjurkoc e Godanc.