Arbëri

“Për të shmangur politizimin”, s’mbahet një minutë heshtje për Bunjakun

Kuvendi Komunal i Graçanicës, në mbledhjen e parë të mbajtur pas situatës së fundit në veri e kishte shqyrtuar mundësinë për të mbajtur një minutë heshtje për policin e vrarë të Kosovës, në Banjskë. Por me arsyetimin se kjo mund të politizohet, është hequr dorë nga ky veprim

Mbledhja e parë e Kuvendit Komunal të Graçanicës, pas situatës së fundit në veri, u mbajt të enjten me konsensusin që të mos mbahet një minutë heshtje për rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, të vrarë në Banjskë. KOHA është informuar se ndonëse ishte diskutuar nga kryesia e Kuvendit, veprimi për nderimin e policit u tejkalua me synimin që të shmanget politizimi i situatës.

Për këtë qëllim, zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal, Granit Gashi, ka thënë se nuk u lejua as pjesëmarrja e ekipit të KOHËS në punimet e mbledhjes të Kuvendit Komunal, ani se në çdo komunë ato janë të hapura për publikun dhe transmetohen edhe online.

“Bisedova edhe me kryesuesin që të lejohen mediat të marrin pamje brenda sallës së Kuvendit, por ishte vendim i tij që asnjë nga mediat, as ato kosovare e as ato serbe, të mos lejohen që këtë seancë ta ndjekin, për shkak se është frikësuar se mund të ketë ndonjë politizim të ndodhive të fundit që kanë ndodhur në Kosovë, në veri”, ka thënë Gashi.

Të enjten, në Graçanicë është shënuar dita e tretë e zisë e thirrur nga Lista Serbe, e cila udhëheq me këtë komunë, në nderim të tre sulmuesve serbë të vrarë në Banjskë të Zveçanit. Në objektin e Komunës, flamuri i Serbisë që nga e mërkura është ulur në gjysmështizë.

Por sipas zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunal, Granit Gashi, ky veprim është i Komunës paralele të Graçanicës.

“Nuk është veprim i Komunës së Graçanicës, është veprim i komunës paralele të Graçanicës që menaxhohet nga institucionet e Serbisë. Komuna e Graçanicës, që menaxhohet nga institucionet e Kosovës, ka treguar një qytetari të jashtëzakonshme në këto ditë të fundit, duke mos provokuar apo duke mos bërë asnjë hap që mund të çonte drejt provokimit, për shkak të ndodhive të fundit në veri dhe të cilët, të gjithë edhe kolegët asamblistë edhe komunën të gjithë i falënderoj për sjelljen e tyre në ditët e fundit”, ka thënë Gashi.

Gjatë qëndrimit para Komunës së Graçanicës, KOHA kërkoi të kontaktojë edhe me kryesuesin e kuvendit, Milan Dimitrijeviq, porse ai nuk ka pranuar që të prononcohet.

As zyrtarët e Komunës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të adresuara nëpërmjet emailit lidhur me mbajtjen e tri ditëve të zisë për serbët e vrarë, kur ato nuk janë shpallur nga shteti i Kosovës.

Një ditë pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, shpalli tri ditë zie në komunat e Kosovës, të banuara kryesisht me serbë. Dy ditë më parë, në Komunën e Novobërdës, Kuvendi Komunal i së cilës ka më së shumti asamblistë serbë, me kërkesë të përfaqësuesve shqiptarë u mbajt një minutë heshtje për policin e vrarë të Kosovës.

Kjo kërkesë fillimisht u refuzua nga kryesuesja e Kuvendit e edhe nga dhjetë asamblistët e Listës Serbe, gjashtë prej të cilëve e respektuan, duke u ngritur në këmbë.